14 March 2011

Kultura mesjetare në Shqipëri

Mënyra e jetesës
Të dhënat për mënyrën e jetesës në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato vijnë kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare.
Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergji-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan), etj. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim “katund plak” a “katund i vjetër”, etj. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll, etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjini, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë, etj.
Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.
Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Kostandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin ; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.
Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale.
Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trëndafila dhe lule të tjera.
Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dezinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike.
Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë ; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare.
Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë.
Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin : “rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian...” (në prozën e shkurtër “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend “një poltronë despotale”, të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm të madh.
Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër etj.
Për t’u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë shtresat dhe jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka).
Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet e Mesdheut.
Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të të vdekurve.
Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat, etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrave. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjellëtarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte.
Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm.
Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht.
Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të mesjetës së hershme.
Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja e ndriçimi. Lënda djegëse në këta shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që në lashtësi, por në një masë shumë më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe për të lehtësuar djegien mbështeteshin te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej “kali i druve”. Rreth këtij zjarri i kalonte familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve gjatë dimrit.
Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë vatrës.
Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e Bizantit.
Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar më mirë.
Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve, nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj. Në anën tjetër, këta janë shekujt e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive. Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake, por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës. Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike, siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin arritje që solli përmirësime të dukshme. Pjesë të veçanta të veshjeve popullore të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht. Në një dokument të vitit 1335, përmenden pjesët e veshjes së një detari, ndër të cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum, etc.). Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjera për burrat që u quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shek. XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum.
Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë është mbajtur një lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e qark, që cilësohet në Francë si kapelë shqiptare (“chapeau albanois” ose thjesht “albanois”, nga F. Rabelais).
Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë.
Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës. Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët, Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si paleologët, asienët, anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut.
Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet, ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh, kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të shumtë.
Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit, synonte të jetonte e të zbavitej si ata. “Për një kohë shumë të gjatë, - thotë Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit, kishin zakon të shkonin në Durrës shumë herë në vit, për punët e veta dhe për dëfrim (“pro suis factis, vel pro placere”). Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej liri anëtarëve të kësaj familjeje që të vinin në Durrës sa herë dëshironin dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre në Itali më 1476, në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane në gjithë mënyrën e jetesës, duket se vazhduan edhe në shek. XVI.
Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve, fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej, zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës. U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për t’u treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për këtë është Gjon Muzaka, i cili në vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet, duke na dhënë kështu një dokument shumë të vlefshëm për kohën.
Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë (arbërishten)
Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t’i shtonin e t’i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo dialektor, që janë karakteristike për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ > /-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë, danë ~ darë etj.). Që të dyja këto dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th. para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë ata gjetën aty një popullsi, që fliste një gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore.
Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto treva, i janë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit, duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë parashtruar një varg argumentesh, që në vija të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon për pushtimin shumë të hershëm romak të trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve. Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë Romake në Ballkan.
Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme në emërtimin e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on, arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas (sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk. Të gjitha këto emërtime e kanë burimin tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a më saktë të Arban-ëve, që në dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të parë në shek. II të erës së re, kur Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia, libri III, 12, shkruan: “Në tokën e albanëve (Albanoi), Albanopolis”. Popullsia ilire e albanëve a arbanëve banonte në një trevë në lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban a Alban në burime të shkruara del vetëm në shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në këtë vepër, (I, faqe III) pohohet : “Në burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit…”. Kuptohet vetiu që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik duhet të jetë më e hershme se shek. XI. Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj., duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë para shek. XI në viset në veri edhe në jug të trevës së banuar në lashtësi nga popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për këtë dëshmojnë, ndër të tjera: 1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë së sotme në kohë të mesme sllavët i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet fjalë për një ndodhi në një fshat afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën albanesca.” 2. Në dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë ~ verë etj. Dhe në përgjithësi është pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë shqiptarët, pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh, që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih këtu më sipër). Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej arbënisht/arbërisht, dëshmon për një vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm. Siç pohon A. Buda, “Kjo ishte një dukuri që nuk kishte të bënte me pushtime, por me krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të përbërë nga trevat historike të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë të njëjtë si nga burimet mesjetare të hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet perëndimore të së njëjtës periudhë, si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin e tipareve të kësaj bashkësie etnike në etapën e saj më të lartë, si “kombësi”, proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim të përbashkët”. Faktorët që do të kenë ndikuar në përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten të paqartë. Ndër këta faktorë mund të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë dhe në një numër të kufizuar fshatrash të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit. Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is, që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt /-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.
Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës
Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia, etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston “e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat (“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”. Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre “të vetët” del aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV. Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve. Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.
Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat shqiptare
Rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve të kulturës, veçanërisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të propagandimit të doktrinës fetare, të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të cilave vepronin aktivisht edhe “kurjet” peshkopale.
Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet, krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve e dominikanëve që kishin pasur në dorë arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan të përhapeshin urdhrat murgëtarë të “lypësve”, minoritët françeskanë. Me predikimet e tyre për nevojën e “reformave” të kishës në frymën e “varfërisë”, këta mundën të ndikonin më lehtë mbi shtresat popullore.
Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme.
Në sajë të pozitës mbizotëruese të kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të atij të feudalëve perëndimorë në tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për një kohë shumë të gjatë pozitën si gjuhë kulturore mbisunduese.
Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i veprave të shkruara që qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar. Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike, aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë e tyre ka mundur të ruhet në Berat.
Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët më i vjetri është “Kodiku i Purpurt i Beratit”, janë një fond me rëndësi për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet prania e shqipes.
“Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike dhe renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë. Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Është shkruar me shkronja të derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur këto shkronja është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm se shek. XVIII).
Për herë të parë për "Codex Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej në kështjellën e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit. Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të mos rënë në duart e pushtuesve) “Kodiku i Purpurt i Beratit” ishte jo vetëm një libër (dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas ungjijve të këtij teksti.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve.
Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose Shën Niketa i Remesianës), u përhap në disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit 525
"Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të UNESCO-s.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) - për shkak të shkronjës prej ari që është përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut). Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe lule).
Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar “Kodiku i Vlorës”, afërsisht shek. X; “Kodiku i Përmetit”, i shek. XIV; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull. Në kodikët që i takojnë periudhës prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.
Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare, duke çuar më përpara traditat në këtë fushë. Huazimet me prejardhje latine si: “shkruaj”, “këndoj” etj., me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një kohë të lashtë.
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz të ditur si klerikë e murgj të manastireve, por profesionistë të specializuar. Këta formonin kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.
Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh., kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila trajton ngjarje të luftës së bizantinëve kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra të shkruara greqisht, është shkruar latinisht kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në territor të banuar prej shqiptarësh në Epir, janë hartuar në fund të shek. XIV e në fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të dhëna me interes për historinë e Principatës shqiptare të Artës. Shënime historike për shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet e Beratit.
Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.
Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore. E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja dhe latinishtja dhe në një masë më të vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja. Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore. Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia dhe Kastriotët i përdorën të tria këto gjuhë. Dëshmi për këtë janë mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më 1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën Gjonit pranë Elbasanit.
Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës. Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej në fillim në formë individuale vetëm me lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë jepej me forma më të organizuara duke përfshirë një rreth më të gjerë lëndësh. Në të tilla shkolla që i hasim edhe në qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë klerikë të ditur. Të tillë mësues shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare të qyteteve.
Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.
Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historinë e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek. XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky hap i rëndësishëm lidhet me ngritjen e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit dhe veçanërisht të qyteteve.
Me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe.
Fillimet e letërsisë shqiptare. Dokumentet e para të shqipes së shkruar
Libri i parë shqip që njihet deri më sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë shqiptare duhet të jenë më të hershme se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341) si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën e banorëve të këtyre trojeve. Në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terram sanctam”, dërguar mbretit të Francës, Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të tjera shkruan: “Sado që arbrit kanë gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”.
Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” (De obsi-dione Scodrensi), botuar në Venedik më 1505, thotë se ka pasur në dorë kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht, as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e mërgimit të tyre të rëndë.
Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes së shkruar në shek. XV ose diçka më herët.
I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e pagëzimit” dhe i takon vitit 1462. Është një formulë e shkurtër fetare e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Në qarkoren që u dërgon vartësve të tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin vetë duke përdorur këtë formulë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi” i Arnold Von Harfit, i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet me emrin “Perikopeja e ungjillit të pashkëve”, është gjetur në Bibliotekën Ambroziane të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabetin grek.
Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës bizantine-ortodokse.
Arkitektura në shek. VI-XV
Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t’u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta.
Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh. Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.
Fortifikimet më të rëndësishme të shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit që i takojnë periudhës së sundimit të perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash. Çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo. Kati i parë përbëhej nga një hapësirë e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit përshkoheshin nga një numër i madh portash, prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj porte qëndronte një statujë prej bronzi, e cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej perandorit Adrian.
Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit, Belizari, të ndërtonte në Romë një tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara në kështjellën e Durrësit.
Gjatë periudhës së Justinianit vërehet një tendencë për ndërtimin e kështjellave mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve dhe nënndarje të tjera, që s’ishte gjë tjetër veçse kthimi në format e vjetra të periudhës helenistike apo të fortifikimeve më të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës, Çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë fillojnë të bëhen gjithnjë e më të ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë mbrojtjen gjithnjë e më pasive.
Një vend të rëndësishëm midis monumenteve të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.
Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec), Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht (Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë (Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të cilave në pjesën më të madhe kanë qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.
Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.
Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemere (varianti oriental).
Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari, ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi). Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).
Më të rralla janë ndërtesat e kultit me planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit, të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të dyshemesë.
Gjatë shekujve të parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII. Gjurmë të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan të përdoren të njëjtat monumente kulti në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë të varfër, që tregon për vështirësitë ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.
Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint. Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti (Drivast) dhe Deja. Në fushën e ndërtimeve të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet në kishën e Shën Kollit në Perondi të Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin kulmin me kishën e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin e pasur me tulla.
Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë. Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe, bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.
Përveç këtyre monumenteve për vlerat e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte të tjera të stilit bizantin, që u përkasin shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb), manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës, e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj. Vlera të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë ndërtesë tjetër të këtij stili dhe që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur në viset Veriore të Shqipërisë dhe në ato Perëndimore të bregdetit ballkanik.
Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër në atë të Epërme lulëzoi në mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat veriore mbetën të lidhura më shumë me kishën perëndimore, ndërsa në Durrës dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte përparësi kisha lindore. Në kushte të tilla përveç tipave arkitektonikë të pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën sundimtarë perëndimorë.
Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i frantonive në anët më të ngushta, nga çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.
Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.
Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë pati një lulëzim të veçantë në ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës.
Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë, dru apo të ndërthurura. Çatitë mbuloheshim me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në godinat e kultit dhe në ato të shtresave të pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe, si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre. Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të kenë qenë njëkatëshe.
Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse, zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet). Në këtë veprimtari u dalluan despotët e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë, si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet nga Barleci ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të Semanit.
Monumentet kryesore të arkitekturës civile në Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës, Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës etj. Për një pjesë të mirë ato janë ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore të vendit në gjendjen e tyre të sotme në themel u përkasin shek. XII-XV.
Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella e Beratit, muret e sotme të së cilës janë rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron mbi portën e parë të hyrjes. Muret rrethuese që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, të përforcuar me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së fundit, por më tepër për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni. Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve të mësipërme, në shpatin jugor të kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit.
Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në kështjellë ndodhet një lagje e tërë me emrin “Kala”, më e vjetra e qytetit të Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët e saj lagje të jashtme, “varoshet”, të fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende të tjera.
Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman, ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle.
Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë, dhe me mure të fuqishme për t’u rezistuar makinave gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë e rrethuar me bedena. Përveç kullave të zakonshme në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone), që mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe të zinin një vend qendror në kështjellë, mund të ishin të lidhura me muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i qëndronte një rrethimi të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, si në Durrës, Butrint etj.
Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla ishin kështjellat në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare, si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit, e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria e saj është katërkëndëshe, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.
Një tjetër tip kështjellash qenë ato që u ndërtuan në formë kullash në viset malore nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara në vende strategjike, nga ana arkitektonike ato ishin të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës (Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë) etj.
Shek. XV shënon një epokë të re në zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën e përdorimit të armës së artilerisë dhe të përsosjes së saj. Në territorin e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim parimet moderne të fortifikimit, siç janë kullat për artileri që u quajtën “Rondelo”, të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të ndërtonin gjithnjë e më tepër në lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike se praktike vinin nga Gadishulli Apenin. Në këtë fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe turqit, prej të cilëve këta të fundit nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë. Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara në këtë periudhë, përmenden fortifikimi në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri në kështjellën e Durrësit etj.
Artet figurative. Piktura mesjetare
Krahas degëve të tjera të kulturës, në mesjetë morën zhvillim edhe artet figurative. Skulptura si gjini kryesore e arteve figurative, ashtu si në vendet e tjera të Evropës Juglindore edhe në tokat shqiptare pati një zhvillim të kufizuar, qoftë për numrin, qoftë për vendin që zinin prodhimet e saj. Skulptura nuk mori këtu funksion të pavarur. Ajo i shërbeu si element dekorativ arkitekturës, në formë elementesh zbukuruese të lidhura me ballina ndërtesash, me porta e dritare, shtylla e gurë varresh. Edhe atje ku gjenden dekoracione plastike mjaft të zhvilluara, si në kishën e Mesopotamit pranë Sarandës, në kishën e manastirin e Deçanit, ato nuk dalin nga karakteri i një relievi të vendosur në muret e jashtme dhe nuk mund të qëndrojnë më vete. Po kështu kishte funksion ndihmës edhe skalitja e drurit, e argjendit etj.
Por në skulpturën ornamentale dhe në elementet e saj zbukuruese gjetën shprehje më shumë se në gjinitë e tjera të artit mesjetar elementet e artit popullor, që zhvillonin traditat e vjetra të njohura nga veshjet, nga shkorsat dhe nga qeramikat popullore. Këto ornamente ishin zbatuar në mënyrë më të përsosur e më të ndërlikuar, në materiale më të kushtueshme, si në orendi kishtare, potire, kapakë ungjijsh, në arka druri, në veshje të kushtueshme dinjitarësh, kishtarë e laikë etj. Këto janë pajisur me zbukurime të pasura në formë lulesh, nganjëherë edhe kafshësh e shumë më pak njerëzish.
Zhvillim të madh si gjini e pavarur e artit mesjetar morën artet figurative e sidomos piktura që pati një përhapje më të gjerë. Por pjesa më e madhe e krijimtarisë artistike të mesjetës së hershme e të vonë, si ajo e mozaikëve, e miniaturës së dorëshkrimeve, ikonostasëve, ikonave, afreskeve dhe skulpturave, për shkak të rrethanave tepër të vështira që kaloi Shqipëria, të luftërave e pushtimeve të shumta, nuk ka mundur të arrijë deri në kohën tonë.
Piktura si gjini u nxit nga kisha e krishterë sidomos nëpërmjet veprave ikonografike. Krijuesit e pikturës mesjetare ishin në përgjithësi klerikë e murgj, që kishin punishtet e tyre pranë manastireve ose kishave. Por edhe kur ishin laikë, ata ishin lidhur pas kishës si porositës kryesorë. Nuk njihen emra piktorësh deri në shek. XV, sepse ata zakonisht nuk e vinin emrin në veprat e veta. Nën udhëheqjen e piktorit mjeshtër punonin disa ndihmës ose nxënës, të cilët merrnin pjesë në pikturimin e veprës, duke plotësuar hollësitë e dorës së dytë.
Gjini kryesore të pikturës mesjetare ishin në shekujt e parë mozaikët. Më vonë zhvillohet gjerësisht piktura monumentale murale (afresket), si dhe piktura në tablo, ikonat.
Teknika e mozaikut në vendin tonë ishte trashëguar që në kohën antike. Shek. IV-VII paraqiten me disa vepra të rëndësishme, si Bazilika e Ohrit, Bazilika e Linit (Pogradec), Bazilika e Arapajt (Durrës), Bazilika e Bylisit (Ballsh), mozaiku i Baptiserit të Butrintit etj. Piktura e mozaikëve paraqiste tematikën e zakonshme kishtare e bashkë me të edhe figura perandorësh, princash etj., me familjet e tyre si ktitorë të kishave. Një vepër e bukur është ruajtur në mozaikun mural të gjetur në kishën e amfiteatrit të Durrësit. Duke shkuar përtej karakterit thjesht ornamental të mozaikëve antikë, mozaiku i Durrësit krijon komplekse skenash me figura njerëzore, me një ndërthurje të bukur gurësh prej qelqi të ngjyrosur, të përzier me copëza guri natyror e tulla. Figurat njerëzore janë veshur me petka të kushtueshme të ngrira pa respektuar format reale të trupit, kurse fytyrat e njerëzve ruajnë karakterin individual. Mozaikët e Durrësit përfaqësojnë veprat më të hershme mesjetare të njohura në vendin tonë që trajtojnë figurën njerëzore, qofshin këta shenjtorë abstraktë ose njerëz realë.
Po nga fusha e mozaikut janë ato të periudhës së shek. VI-VII, si mozaikët e manastirit të Shën Nikollës në Mesopotam të Delvinës etj. Janë miniaturat, dorëshkrimet fetare, të cilat i gjejmë në kodikët si ai i shek. VI, të njohur me emrin “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Këto dorëshkrime janë të ilustruara me figura të vizatuara e të pikturuara si Evangjelistë që shkruajnë ungjillin, me ornamente të ndërthurura me shpendë dhe dekore lulëzore, etj. Ato janë të realizuara nga piktorë profesionistë të asaj kohe d.m.th. nga ikonografë dhe shquhen për kaligrafi të përkryer me shumë hijeshi dhe me ngjyra të kultivuara. Miniatura e dorëshkrimeve mesjetare shihet më e përpunuar nga fundi i shek. XI ose në fillim të shek. XII me miniaturën e kodikëve të Vlorës, ku bie në sy një sintetizim i elementeve të stilit bizantin që sapo kishte arritur formimin e tij të plotë me ato të traditës së artit antik.
Po në këtë kohë zhvillohen gjini të tjera në artet figurative me pikturën në teknikën e afreskut. Në shpellën eremite të Bllashtojës si dhe në atë të liqenit të Prespës, të cilat ndodhen larg qendrave të banuara, por në vende shumë të bukura, gjenden piktura murale në teknikën e afreskut dhe që kanë interes për origjinalitetin ikonografik me paraqitjen e shumë skenave të pazakonshme për Bizantin dhe me një stil të lartë e të pastër bizantin. Po kështu në këto shpella janë gjetur ikona me vlerë që i takojnë po këtij shekulli, si ajo e Shën Mërisë me Krishtin dhe dyert e bukura të Bllashtojës (Prespë-Korçë), ku skena e ungjillëzimit është e realizuar vetëm me paraqitjen e figurës së Gabrielit përballë Shën Mërisë duke mënjanuar çdo gjë përreth.
Një fragment afresku që i përket shek. XII, në të cilin paraqitet martiri Eufemi, të hasur shumë rrallë në ikonografinë tonë, ruhet mbi një shkëmb të fshatit Kallmet pranë Lezhës.
Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë në Shqipëri, përkon në kohë edhe me zhvillimin e pikturës monumentale të shek. XII, si të Rubikut dhe me atë të Shën Marisë së Cerkës (Leskovik), si dhe me afresket e kishës së Marmirojt në Orikum të Vlorës.
Piktura murale u zhvillua në lidhje të ngushtë me destinacionin e saj si pjesë përbërëse e monumenteve arkitektonike. Fillimet e saj hetohen qysh nga shek. IX-X, ajo zhvillohet me ritme më të shpejta në shek. XIII-XIV. Zhvillimi ekonomik e politik i vendit krijoi rrethana më të përshtatshme për një zhvillim më intensiv të këtij arti. Duke u larguar nga tiparet universale karakteristike për stilin bizantin në përgjithësi, tani fillojnë të krijohen veçori dalluese me ngjyrë vendase.
Ndër veprat e shumta të krijuara nga gjysma e dytë e shek. XIII dallohen veçanërisht afresket e kishës së Rubikut, ato të manastirit të Pojanit, të kishës së Shën Triadhës në Berat, të Maligradit në liqenin e Prespës, të kishës së Mborjes etj. Si punë të kualifikuara shumica prej tyre qëndrojnë në nivelin e monumenteve më me rëndësi të vendeve fqinje, duke dëshmuar për një shkallë zhvillimi të barabartë.
Në afresket e kishës së Rubikut që mbajnë datën 1272 bie në sy në mënyrë të veçantë skena e kungimit të apostujve. Ndërmjet shenjtorëve tradicionalë, të paraqitur këtu, për herë të parë është përfshirë edhe figura e një shenjti vendas, Shën Asti. Në pikturën e Rubikut, ndonëse në një formë ende jo plotësisht të përcaktuar, kanë gjetur fillimin e tyre disa tipare që dëshmojnë një orientim deri-diku drejt traditës antike.
Kjo prirje, duke u zhvilluar më tej, u dha monumenteve tipare të veçanta që dallohen prej monumenteve bashkëkohëse të Ballkanit. Këtë orientim e gjejmë të dokumentuar sidomos në afresket e trapezarisë së manastirit të Pojanit.
Elemente laike dhe më realiste shfaqen në pikturën mesjetare veçanërisht në paraqitjet e portreteve të ktitorëve në fasadat e faltoreve, siç i ndeshim në Pojan e në Maligrad. Në hajatin e kishës së Pojanit (Apolonisë) gjejmë portretin familjar të perandorit Andronik. Ai paraqitet në qetësi të plotë, me fytyrë energjike dhe të pushtetshme. Rreth kokës së tij vërehet një brerore me ngjyrë të artë për t`i dhënë figurës së tij karakter hyjnor. Një vlerë të madhe kanë edhe afresket e kishës së Maligradit, ku në anën e jashtme të portës është paraqitur Qezar Novaku, fisnik i kësaj krahine, bashkë me familjen e tij. Si princi, ashtu edhe e shoqja dhe të bijtë janë veshur me stoli princore; sakoja e Qezarit është e stolisur me zhgaba dykrenare të përfshira brenda medalioneve.
Në shek. XIII - XIV në vendin tonë u krijuan vepra të shumta artistike, si ato të kishës së manastirit të Apolonisë (Fier) 1260-1328, ku pranë apsidës është pikturuar portreti i perandor Mihal Paleologut, të mbiquajtur Konstandini i Ri, si çlirimtar i Konstandinopojës nga latinët. Ai është paraqitur, së bashku me familjen e tij, me fytyrë energjike, e i pushtetshëm. Po të kësaj periudhe ishin afresket e kishës së Vaut të Dejës, ndërtesë e stilit romanik (të shkatërruara në vitet 60 të shek. XX).
Një përhapje shumë të gjerë pati edhe piktura e tablove, ikonografia. Shumica e ikonave ruajnë vlera artistike. Midis tyre ka edhe ikona të trajtuara në mënyrë më të gjerë në formë monumentale, por përgjithësisht ato japin skena të kufizuara nga ana tematike, shpeshherë i janë kushtuar vetëm paraqitjes së një shenjti. Ikonat janë pikturuar drejtpërsëdrejti në dërrasë ose në pëlhura të ngjitura në dërrasë.
Ikonat e pikturuara në dru në shek. XII, tre shekuj para pushtimit osman, që kanë mundur të ruhen deri më sot janë të pakta. Në këto ikona pasqyrohet stili i pastër bizantin, ku figurat pothuajse janë me qëndrim ballor dhe monumental, me lëvizje të kursyera dhe me stolisje në veshje. Ikona më të bukura të kësaj periudhe janë Shën Maria me Krishtin e tipit Odigitria, që do të thotë se Maria parandien dhe parashikon atë që do t`i ndodhë birit të saj, si dhe ikonat Dyert e Bukura që janë gjetur në kishën e Bllashtojës (Prespë-Korçë). Skena e ungjillëzimit te dyert e bukura është paraqitur tepër e thjeshtë, Shën Gabrieli në njërën dorë dhe në tjetrën Shën Maria. Këtu përveç dy figurave përballë njëra-tjetrës nuk është pikturuar gjë tjetër.
Lulëzimi dhe zhvillimi i Konstandinopojës në gjysmën e dytë të shek. XIII dhe gjatë shek. XIV pati një ndikim të thellë në ikonografinë në përgjithësi dhe në monumentet e kulturës shqiptare. Veprat që u realizuan në këtë periudhë, karakterizohen nga një kanun i rreptë i stilit bizantin të shkollës së Konstandinopojës, si dhe ai i Shkollës së Ohrit. Arti i Bizantit gjatë kohës së Komnenëve, por sidomos ai i kohës së Paleologëve, filloi të marrë tiparet e një arti të konsoliduar të një rryme artistike përparimtare që u quajt “Rilindja e artit Bizantin”.
Kjo rrymë përkon në Shqipëri me zhvillimin e fuqisë ekonomiko-shoqërore të vendit, me fuqizimin e aristokracisë shqiptare, me rritjen e fuqizimin e qyteteve dhe me krijimin e principatave shqiptare. Kjo i dha dorë ndërtimit të shumë kishave të zbukuruara me afreske dhe ikona.
Një vepër me vlera historike dhe artistike e shek. XIV është Epitafi i Glavinicës (manastiri i Shën Marisë në Ballsh), realizuar më 1373 prej qëndistarit Gjergj Arianitit. Aty është dhënë figura e Krishtit të shtrirë (të vdekur) që është qëndisur e tëra me ar dhe ka përmasat 1m dhe 70 cm.
Ikonat që u përkasin shekujve XIII-XIV janë më të shumta, si ajo e tre Jerarkëve e kishës së Shën Vlashit në Vlorë etj. Një prej përfaqësuesve të kësaj epoke është ikona me përmasa të mëdha, ajo e Shën Mëhillit. Mendohet të jetë bërë në një nga atelietë e rrethit të Korçës. Kritikë të huaj të artit bizantin e kanë quajtur “Xhokonda shqiptare”. Kjo ikonë evokon traditën e pasur të shkollës së Ohrit. Engjëlli Mihali kompozuar në plan ballor e monumental është i veshur me atributet e strategut të forcës qiellore dhe mban në njërën dorë globin e kristaltë, imazhin e Kozmosit, shënuar nga monogrami i Krishtit dhe i kryqit ortodoks.
Pikturimi i kësaj ikone lidhet dhe ngjason shumë me afresket e kishës së Shën Marisë (Ristozi) në fshatin Mborje të Korçës, pikturuar më 1390 nga piktorë anonimë, si dhe me afresket e kishës së Shën Marisë në shpellën e liqenit të Prespës pikturuar më 1369. Mundet që një atelje e shquar të ketë pikturuar shumë ikona dhe afreske në këto zona të Shqipërisë Juglindore, si dhe në Maqedoni, Serbi dhe në Greqinë e veriut.
Veprat e kësaj periudhe, duke përfshirë dhe ato të kishës së Trapezarisë (Apoloni) si dhe atë të Shën Triadhës në kështjellën e Beratit, dëshmojnë për konsolidimin e një arti në këto zona, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për piktorët e shek. XVI.
Kultura e Bizantit qe burim kryesor për artin e krejt botës së krishterë të Lindjes. Por krahas ndikimit të tij, gjendet kudo edhe kultura vendase ku artistët e ndërthurën mirë artin bizantin me atë lokal. Si rezultat qe formimi i shkollave, secila prej tyre kishte traditat e saj specifikike e lokale, ndërsa të gjitha ishin të lidhura ndërmjet tyre me këtë tërësi bizantine.
Në shek. XV Shqipëria pushtohet nga osmanët pas betejash të njëpasnjëshme. Prandaj nga ky shekull nuk ruhet asnjë dokument ikonografik.
Rënia e Konstandinopojës dhe dobësimi i lidhjeve me këtë qendër, bënë që arti ikonografik, krahas lidhjeve të vjetra, të hyjë në një fazë të re, ku filluan të krijoheshin hapësira të mëdha drejt novatorizmit të ikonografisë kishtare deri në krijimin e shkollave dhe të individualiteteve. Krahas rënies së përgjithshme ekonomike bie influenca e fuqishme e Bizantit dhe, nga ana tjetër, rritet ndikimi i vendeve perëndimore. Si rrjedhim, arti ikonografik i mesjetës në vendet e Bizantit, si Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia e Shqipëria, dalëngadalë zhvillohet tani në formën e një arti pasbizantin në këto vende. Veprat e artit pasurohen me elemente kombëtare të shoqëruara me elemente etnografike popullore, si veshjet në pasqyrimin e tipave krahinorë si dhe në pasqyrimin e figurave të ktitorëve (dhuruesve të kishës) me tipare realiste dhe origjinale. Por megjithatë kjo veprimtari ikonografike vazhdoi të ishte e lidhur me traditën e vjetër bizantine dhe të Ohrit, si edhe me artin e Rilindjes Evropiane të asaj kohe, veçanërisht me atë të Venedikut dhe të ishujve të Mesdheut : Korfuzi, Kreta, etj.
marre nga WIKIPEDIA.

2 comments:

Anonymous said...

Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme.

Burri im më la mua dhe 2 fëmijët tanë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Unë kisha nevojë për ndihmë, kështu që bëra disa kërkime në internet dhe hasa në një faqe ku pashë që Dr. DAWN ACUNA, një magjistar, mund të ndihmojë të kthejnë të dashuruarit. E kontaktova dhe ajo bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 3 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje.

Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr. DAWN ACUNA për zgjidhje të shpejtë.
1) Nëse dëshironi të ribashkoheni me të dashurin tuaj.
2) Nëse keni nevojë për paqe / gëzim / lumturi në martesën tuaj.
3) Nëse dëshironi të trajtoni infertilitetin.
4) Nëse dëshironi të kuroni çdo lloj sëmundje, Kancerin/HIV/Tubën e bllokimit/etj.
5) Nëse doni të tërheqni dikë në jetën tuaj.
Whatsapp: +2348032246310
Email: dawnacuna314@gmail.com

Elsina Mecaj said...

Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo pasi i tregova per situaten time ai beri cdo gje qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, faktikisht pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri 3 muaj me vone u fejuam dhe u martuam nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
* dua magjinë
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtjeje
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512