16 February 2011

Filozofet- Buda

BUDA (Buddha), Siddharta Gautama, (rreth 560 p.e.r. deri 480 p.e.r.). Prijës dhe filozof religjioz, themeluesi i budizmit, u lind ndoshta rreth vitit 560 para Jezu Krishtit; sipas kërkimeve të mëvonshme, supozohet të ketë lindur më vonë, por kjo nuk duket dhe shumë e vërtetë. Ai ishte me prejardhje nga familja fisnike e Shakiasve, që i përkiste kastës së luftëtarëve. Babai i tij, princi Shuddhodano, mbretëronte në një territor të vogël rrëze Himalajës, në rajonin kufitar midis Indise dhe Nepalit. Biografia e Budës historik ka shumë zbrazëti dhe është e ngarkuar sidomos me legjenda. Sipas njërës prej tyre, në kufijtë e mitit, nëna e tij, Maja, kishte parë në ëndërr një elefant të bardhë, që i shponte ijën e djathtë. Brahamanët, me të cilët u këshillua për kuptimin e ëndrrës, i thanë Majës dhe burrit të saj për lindjen e një djali që do të ishte zot i botës ose, në qoftë se do të hiqte dorë nga kjo, do të ishte një "i zgjuar". Dhjetë muaj më vonë, Maja lindi një djalë: më këmbë nën një pemë, në parkun Lubini, seli mbretërore larg qytetit, ajo mbante në dorë një degë kur djali i saj doli pa asnjë ndotje nga ija e saj e djathtë. Menjëhere pas kësaj lindjeje të mrekullueshme, fëmija u çua mbi një lule të çelur aty për aty; atëherë ai bëri dhjetë hapa drejt secilës prej katër pikave kryesore, çka lajmëronte se po i jepte fund vuajtjes dhe vdekjes së njerëzve. Nëna e tij vdiq shtatë ditë pas lindjes së tij. Princi i ri u rrit nga tezja, mes të mirave që ia jepte rangu i tij. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, u martua me vajzen e bukur Gopa Jashodhara, por pak kohë pas lindjes së djalit të tyre, Rahula, princi i ri - që ishte njëzet e nëntë vjeç - braktisi familjen dhe jetën me një shkëlqim rëndues për të kërkuar një të vërtetë që do të ishte e aftë të ngadhënjente mbi dhimbjen. Ai u end për gjashtë vjet si murg lypës, duke vizituar mjeshtër të ndryshëm të jogës, por pa e gjetur atë që kërkonte. I ligështuar, ai hoqi dorë nga jeta prej asketi, në rrugën e gabuar të së cilës ishte futur. Megjithatë, me anën e përsiatjes, ai arriti "zgjimin" e zbulimit, një ditë kur ishte ulur nën një fik, në Bodh Gaja (në shtetin e tanishëm indian të Biharit) - që në atë kohë aty u ngrit një faltore e madhe, që është sot vendi më i rëndësishëm i pelegrinazhit të budistëve. Pas shumë javë heshtjeje, ai që tashmë qe Buda (fjalë për fjalë "I zgjuari"), filloi të jepte mësim pikërisht për atë që kishte zbuluar gjatë asaj ideje të papritur që i ishte shfaqur. Ai vazhdoi për dyzet e pesë vjet të jepte mësim, duke përshkuar tërë Indinë e Veriut, rrethuar nga një numër gjithnjë e më i madh nxënësish. Vdiq rreth vitit 480 para Jezu Krishtit, në moshën e nderuar tetëdhjetëvjeçare, në Kusinagara, kryeqytet i shtetit të Mallës (sot Bihar). Buda nuk la shkrime; njohja e doktrinës së tij mbështetet mbi tri pitaka (shporta), kompilime shkrimesh budiste që datojnë nga shekujt pasardhës dhe që e kalojnë në volum Biblën.
Doktrina e Siddharata Gautamas, i quajtur ndryshe Buda - fjalë për fjalë: "I zgjuari nga gjumi" - mbahet kryesisht për një hyrje tipike aziatike tek urtësia, duke mos patur të bëjë shumë me filozofinë perëndimore. Megjithatë, po ta shohim nga afër, zbulojmë përbërës të përbashkët midis filozofëve të parë grekë dhe mësimeve të Budës, çka i bëri shumë studiues të mendonin se ky i fundit mund të ketë njohur filozofinë "parasokratike"; ka gjasa që ndërsjellja të jetë e mundur. Falë qëndrueshmërisë së Perandorisë së pamatë Persiane në shekujt VI dhe V para Jezu Krishtit, mundësitë e qarkuilimit të mallrave dhe ideve ishin shumëfishuar midis botës mesdhetare dhe nënkontinentit indian. Në qoftë se pranojmë datën tradicionale të vitit 480 para Jezu Krishtit - viti i betejës se Termopileve dhe të Salaminës - për vitin e vdekjes të Budës, nuk ka mundësi që ai ta ketë njohur filozofinë "klasike" greke. Por në qoftë se ai ka jetuar në shekujt V-IV para Jezu Krishtit, sipas një teorie të vonshme, Buda mund të ketë qenë bashkëkohës i Sokratit dhe i Platonit, madje edhe i Aristotelit (384-322 para Jezu Krishtit), dhe ta ketë zhvilluar mendimin e tij duke u nisur nga spekulimet e filozofëve të parë milezianë apo eleatë. Kronologjia përgjithësisht pranon faktin se ka jetuar në kohën e këtyre filozofëve të parë - gjë që nuk i përjashton takimet midis këtvre dy botëve.

Buda, si filozofët e parë grekë, flet për Zjarrin, Tokën, Ujin dhe Ajrin si përbërës kryesorë të botës dhe të njeriut, të cilëve u shton për këtë të fundit vetëdijen, ndjenjën apo përfshirjen. Ai i quan dharmas këta përbërës të dorës së parë, që nënkuptojnë rregullin e botës fizike dhe psikike. Buda, përsëri si grekët, përmbledh morinë e dukurive të botës në disa dharmas-ë themelorë të paanalizueshëm, të tillë si vetëdija dhe përbëresit e lëndës. Por, në ndryshim nga fiiozofët e parë grekë, ai nuk përpiqet aspak të rivendosë një parim të vetëm zanafillor, si "Qenia" e Parmenidit.

Përkundrazi, ai mëson se asnjë dhartna nuk mund të ekzistojë pa të tjerat: për shembull, ndërgjegjja njerëzore nuk mund të ekzistojë pa trupin, as trupi pa Tokën dhe Ujin. Asnjë dhrama nuk është e plotë nga vetvetja; përkryerja dhe plotëria janë pronë e Atmanit, "shpirtit të botës". Çdo gjë që ndodhet në botën reale është an-atman, "jo atman", e papërkryer, pra dhe e paqëndrueshme. Te Buda, ashtu si te Herakliti i Edesit, "çdo gjë rrjedh". Megjithatë, kjo paqëndrueshmëri e gjithçkaje ekzistuese ka një kuptim shtesë për Budën, që është një tipar i veçantë i mendimit indian: ashtu si çdo gjë rrjedh dhe kalon nga një gjendje në një gjendje tjetër, edhe shpirtrat ndjekin këtë lëvizje kalimi. Pra vdekja e një njeriu nuk është një fund, por një stacion i thjeshtë ndërmjetës në një varg të pandërprerë rilindjesh.

Doktrina e rilindjes dhe e shtegtimit të shpirtrave - që kishte një traditë të tërë në mendimin indian - është pikënisja e etikës se Budës: duhet të përpiqesh shumë për të berë një jetë të drejtë dhe të mirë, sepse do të rilindim me aftësitë dhe pjekurinë që do të kemi fituar. Ne nuk duhet të shpresojmë se do të rilindim të pasur dhe të fuqishëm, por si dikush që i mjafton vetvetes dhe nuk joshet nga pasionet dhe dëshirat. Nëse reshtim së besuari te domosdoshmëria për të zotëruar apo për të gëzuar këtë apo atë gjë, frika e vdekjes do të zhduket dhe ne nuk do të jemi më të lidhur me jetën deri në atë pikë sa rilindja të bëhet një makth. Kjo gjendje e "të-mos-duash-më-të-zotërosh-dhe-të-jetosh" është për Budën nirvana (fjalë për fjalë: shuarja), synimi më i lartë i të urtit. Megjithatë Buda nuk predikoi heqjen dorë e në mënyrë asketike nga bota, as tërheqjen në lidhje me të: çdo individ, mësonte ai, duhet të zgjedhë jetën që i shkon më shumë për shtat baraspeshës së tij të brendshme. Në këtë perspektivë, doktrina budiste është më afër urtësisë se disa filozofëve perëndimorë, si stoikët, se sa nga feja popullore hinduse me jogat, sadusët dhe fakiret e saj.

Shumë kohë pas hyrjes se Siddharta Gautamës në parinirvana ("shuarja më e lartë"), budizmi, që ishte filozofi e urtësisë, u shndërrua në fe - kjo dukuri ishte e lidhur me fatin politik të Indisë. Ashtu si filozofia greke, filozofia e Budës ia detyron lindjen dhe tallanditë e saj tronditjeve shoqërore-politike të kohës, që kishin lëkundur traditat mijëvjeçare. Babai i Siddhartas ishte një dinjitar i lartë i kastës fisnike dhe luftëtar i Shakijasve, që përbëhej nga blegtorë të pasur të vendosur në një shtet të vogël në këmbë të Himalajës. Por këto bashkësi i kishin ditët të numëruara; mbretëritë e mëdha -sovranët e të cilave i nxirrnin pasuritë e tyre nga të ardhurat që siguroheshin nga punimi i tokave - i futën nën sundim pak nga pak. Shumë nga pasardhësit e kastës luftarake, të zhveshur nga detyrat dhe pronat e tyre, u kthyen në murgj endacakë, pa asgjë tjetër përveç edukimit të tyre si priftërinj. Siddharta ishte njëri prej tyre, por ai e ktheu në virtyt këtë çrrënjëzim të imponuar nga politika: dinjiteti dhe vlera e një njeriu nuk duhej të matej më me pozitën e tij shoqërore. Mësimet e tij ishin të hapura për të gjithë dhe synonin të ngushtonin hendekun midis kastave të shoqërise indiane (priftërinj, luftëtarë, tregtarë dhe fshatarë). Ai nuk mburrte revoltën ndaj pronarëve të rinj, por ngrihej kundër përdorimit arbitrar dhe të keq të pushtetit. Doktrina e tij u tregua e perkryer si doktrinë e shtetit të mbretërive të reja, ngatërresa e të cilave do të vinte duke u rritur - si ajo e Magadhasë, në jug të Ganzhit. Sa më shumë që filozofia budiste i përkiste popullit, aq më tepër përzihej me besimin tradicional hindu. Budizmi u bë kështu një fe, Buda historik u hyjnizua si mishërimi i Budës universal.

Tezat themelore të mësimit burimor të Budes (të cilat janë ruajtur në formë të të folurit dhe të dialogëve të quajtur sutta) përmbajnë «katër të vërteta fisnike: mbi dhembjen, mbi lindjen e dhembjes, mbi mbarimin e dhembjes dhe mbi rrugën tetëantarëshe që të shpie deri te mbarimi i dhembjes. Sipas Budës, njeriu është «trashëgimtar i veprës së vet», ndërsa qëllim përfundimtar i njohjes është të qetësuarit e dhembjes me anën e çlirimit nga prangat e të ndodhurit. Nirvana (ose nibbaba, mpirje) është mohim i çdo vullneti për jetë, heqje dorë nga të gjitha kënaqësitë (sepse medoemos janë të lidhura me vuajtjet) e cila arrihet nëpërmjet orvajtjes morale «të notimit kundër rrymës». Nirvana është gjendje e shkallës më të lartë të përsosurisë, gjendje pa dëshira, kurse Buda e karakterizon si «as qenie as mosqenie, as qenie dhe mosqenie, as jo- qenie jo - mosqenie». Filozofia e tij pesimiste pati jehonë edhe në rrethin mendor evropien (Shopenhaueri, Dojseni).Në planin socialetik Buda predikon barazinë e njerëzve dhe çohet kundër kastave të vjetra brahmane. Ai i refuzon edhe ceremonitë fetare dhe askesën religjioze dhe thekson si virtyt para së gjithash mëshirën dhe vetëmohimin.

Sipas Hirianit (Bazat e filozoflsë indiane) ekzistojnë tri karakteristika qenësore të mendimit budist: 1. Ai është pesimist ngase thelbi i këtij mësimi është se çdo gjë është vuajtje. Njëkohësisht kjo nuk është besim në dëshprimin, meqë ky mendim lejon mundësinë që paqja të arrihet këtu dhe tani, me çka njeriu në vend që të bëhet viktimë e mjerimit, bëhet fitues i tij. 2. Ai është pozitivist, në atë kuptim se e kundërshton spekulativitetin e pafrenuar i cili para Budës sundonte në lëvizjet shpirtërore të Indisë. Ky mësim në themel përjashton çdo gjë që pozitivisht nuk dihet, kurse hedh poshtë edhe autoritetin e traditës së vedës. 3. Ai është pragmatik, sepse Buda mësonte vetëm atë që ishte e domosdoshme për tejkalimin e mynxyrës, e cila, sipas kuptimit të tij, dominon në jetë dhe paraqet karakteristikën kryesore të tij.

Mësimi i Budes gjatë kohës u përhap shumë dhe në fund u bë religjion botëror. Buda hyn në radhën e personaliteteve më të mëdha të jetës shpirtërore, madje jo vetëm të kulturës indiane, kurse pasardhësit e tij mund të gjenden në pjesët më të largëta të kontinentit aziatik. Për këtë arsye shumë njerëz konsiderojnë se «për pjesën më të madhe të Lindjes budizmi nuk ka qenë asgjë më pak fuqi shtytëse të kulturës se krishterimi në Perëndim».
Shpeshherë, në kundërshtim me mësimin e Budës, sekte të ndryshme budiste humbisnin më vonë në asketizëm, misticizëm dhe në një formalizëm religjioz ceremonial. Kështu braktiset fryma filozofike dhe sociale e mësimit të tij, kurse në plan të parë theksohet besimi i vërbët në «zotëri Budën», i cili arrin kulmin në Diviavadanë: «Qielli do të bjerë me hënën dhe me yjet, toka mund të ngrihet me malet dhe pyjet e veta, oqeanet do të thahen, mirëpo fjalët e Budes nuk mund të jenë të gabueshme» (sipas S.Radakrishnanit: Filozofia indiase I.).


JETËSHKRIMET - KURESHTI NGA JETA E BUDËS

* Një herë, një nxënës erdhi tek Buda dhe i kërkoi ti shfaqte një mrekulli, duke i thënë se vetëm atëherë do ta besonte. Buda i buzëqeshi me keqardhje dhe i shfaqi një mrekulli të madhe. Nxënësi i habitur thërriti:
- Tani jam i gatshëm të kaloj të gjitha shkallët e Nxënësisë nën udhëzimet e tua.
Por Buda i tregoi derën dhe i tha:
- Tani nuk më nevojitesh.

* Një nga nxënësit e Budës e pyeti:
- Cfarë duhet të bëj, nëse dikush më godet?
Buda i tha:
- Nëse nga një pemë do të thyhej një degë që do të binte mbi ty, cfarë do të bëje?
Nxënësi tha:
- Kjo do të ishte një ndodhi e rastësishme, një koincidencë e thjeshtë që unë ndodhesha poshtë pemës kur dega binte. Do të vazhdoja rrugën time.
- Të njëjtën gjë duhet të bësh edhe kur dikush të godet. Ndoshta ka ndonjë problem, ishte i inatosur apo nuk mund të përmbante nervat e tij. Është e njëjta gjë sikur të binte mbi ty dega e pemës. Vazhdo rrugën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

* Një grua, të cilës i kishte vdekur djali i saj i vogël, takon Budën. Gruaja qante dhe bërtiste se kishte humbur dashurinë e saj të vetme dhe se ishte e dëshpëruar dhe kërkonte ndihmën e Budës.
- Mirë do të të ndihmoj, i tha Buda, por më parë shko në qytet dhe më sill një grusht grurë nga shtëpia ku nuk ka vdekur asnjeri.
Gruaja u nis menjëherë në qytet dhe filloi të kërkonte për një shtëpi të tillë, por kudo i thonin:
- Mund të të japim grurë sa të duash, por nga shtëpia jonë kanë vdekur njerëz.
Kjo përgjigjje përsëritej çdo herë që pyeste, por gruaja ndalonte shtëpi për shtëpi me shpresën se do të ekzistonte të paktën një shtëpi e tillë.
Filloi të ngrysej, dhe gruaja filloi të kuptonte se vdekja ishte një pjesë e pandarë e jetës, se është pjesa e kundërt e jetës dhe se ndodh vazhdimisht. Vdekja nuk ishte veç një fatkeqësi personale dhe se nuk i kishte ndodhur vetëm fëmijës së saj.

* Buda po vdiste. Dyzet vite me radhë ecte dhe mijra njerëz e ndiqnin. Duke ju drejtuar nxënësve të tij, ju tha:
- Kjo është dita ime e fundit. Nëse keni diçka për të më pyetur, kjo është mundësia juaj e fundit. Ka ardhur momenti që secili të marrë rrugën e tij.
Një errësirë e thellë mbuloi nxënësit e tij. Ananda, nxënësi i tij i preferuar qante si foshnjë e vogël, dhe ndërsa lotët e tij i rridhnin nga sytë , godiste me dëshpërim gjoksin e tij.
- Tëlutem Ananda pusho, i tha Buda.
- Çfarë do të bëjmë ne pa ty? Tha Ananda. Ishe këtu dhe të gjithë ne ecnim me dritën që ti lëshoje. Gjithçka ishte e sigurtë. Harruam krejtësisht se ekzistonte errësira. Duke të ndjekur ty, gjithçka për ne ishte dritë. Tani që po ikën, çfarë do të bëjmë?
Dhe vazhdonte të qante dhe të ulërinte.
- Dyzet vite ecje në dritën time dhe akoma nuk arrite të nxjerrësh dritën tënde? Sa më shumë të ecësh nën dritën e huazuar, aq më shumë imiton dhe humb dritën tënde. Jo, më mirë të iki!
Fjalët e fundit që Buda tha ishin:
- Të jeni dritë për vetet tuaja.

* Një njeri i varfër që jetonte i dedikuar Budës, kishte një statujë shumë të vjetër dhe të bukur të Budës, një vepër artistike të shkëlqyer. Ky njeri e ruante si të ishte një thesar shumë i madh.
Një natë dimri të ftohtë, njeriu ishte i vetëm brenda kasolles së tij prej kashte. Bënte shumë ftohtë dhe njeriu po dridhej nga i ftohti. Ndjente se po i afrohej vdekja. Nuk kishte asgjë për të ndezur zjarrin. Në mesnatë, kur njeriu filloi të ngrinte nga i ftohti, përpara tij u shfaq Buda dhe i tha:
- Përse nuk ndez zjarr me statujën time?
Statuja e drurit ndodhej në një cep tjetër të murit. Njeriu u frikësua, kujtoi se ishte një demon.
- Çfarë thua? Të djeg statujën e Budës? Kurrën e kurrës!
Buda buzëqeshi dhe i tha:
- Nëse më shikon tek statuja, atëherë më ke humbur. Unë jam brenda teje , jo brenda drurit. Nuk jam në objektin e lutjes, por ndodhem brenda atij që lutet. Unë dridhem brënda teje! Të lutem , digje statujën!

* Një i ri pyeti një plak me flokë të gjatë gri:
- Gjysh, sa vjeç je?
- Sapo mbusha katër vjeç, i tha ai.
Djaloshi u habit, dhe pastaj duke qeshur i tha:
- Po bëni shaka, keni flokë gri dhe një mjekërr kaq të gjatë, si mund të jeni katër vjeç?
- Po të të them të vërtetën, jam katër vjeç. Gjithë këto vite jetoja duke ndjekur fitimin, thoja gënjeshtra dhe nuk isha i sinçertë. Vetëm katër vite më parë njoha Mësimet e vërteta të Budës dhe njoha se çfarë do të thoshte Mirësi. Përzura pangopësinë, urrejtjen dhe budallallëkun, zvogëlova dëshirat e mia dhe me mendje të hapur po përpiqem të njoh veten time. Vetëm katër vitet e fundit jeta ime ka marrë kuptim dhe vetëm këto katër vite njoh se çfarë është paqja brendësore dhe gëzimi. Ti po më pyesje se sa vjeç jam. Meqënëse njoh jetën e vërtetë vetëm 4 vitet e fundit, të thashë me të vërtetë se jam katër vjeçar.

* Një herë dikush pyeti Budën:
- A ekziston Zoti?
- Po, ju përgjigj Buda.
Të njëjtën ditë një tjetër njeri e pyeti:
- A e ekziston Zoti?
Dhe Buda i tha:
- Jo.
Në fundin e ditës një njeri i tretë e pyeti Budën për ekzistimin e Zotit dhe Buda nuk ju përgjigj, vetëm ngriti gishtin e tij drejt qiellit. Të gjitha këto po i ndiqte nxënësi i tij, Ananda. Gjatë natës e pyeti Budën:
- Nuk mund të fle. Të lutem më thuaj, përse në të njëjtën pyetje dhe tre përgjigjje krejt të ndryshme?
Buda i tha:
- Pasi ishin tre njerëz krejt të ndryshëm. I Pari besonte se Zoti nuk ekziston dhe kishte nevojë shumë që të forconte besimin e tij. Unë i thashë se Zoti ekzistonte, pasi për të arritur tek e Vërteta njeriu duhet të çlirohet nga ato në të cilat beson. I dyti besonte se Zoti ekzistonte. Atij i thashë se Zoti nuk ekzistonte. Unë jam këtu për bërë që mendja të fluturojë mbi besimin dhe se vetëm atëherë njeriu do të njohë të Vërtetën. I treti nuk ishte, as besimtar, as ateist, dhe kështu nuk ishte e nevojshme ti them as’’Po’’ dhe as ‘’Jo’’, dhe për këtë dhe heshta, duke i thënë me këtë mënyrë ’’Bëj si unë, domethënë zhytu në heshtje dhe do ta kuptosh’’.

* Buda lajmëronte gjithmonë kur shkonte në ndonjë qytet apo fshat:
- Ju lutem mos bëni 11 pyetje që kanë të bëjnë me Zotin, shpirtin, vdekjen, të vërtetën….
Kur e pyesnin se përse? Ai u përgjigjej.
- Pasi këto pyetje nuk kanë përgjigjje. Nuk është se nuk e di përgjigjjen. Por fillimisht, nuk ekiston mundësia për të shprehur me fjalë përgjigjjen e drejtë. E dyta, kuptimi i këtyre rëndësive nuk të bën shenjtor dhe as nuk udhëheq drejt ndriçimit. E treta, se këto pyetje lindin fetë të cilat pengojnë mirëkuptimin e realitetit të vërtetë. Mund të pyesni për zemërimin, për kurnaçërinë, ngulitjen, shëndërrimin. Pyesni për mënyrën e braktisjes së mendjes, për hir të meditimit…

* Sindarta sorollatej për gjashtë vite, ku vizitoi të gjithë të mënçurit, shenjtorët, shkencëtarët, gurutë e ndryshëm, por megjithatë kishte mbetur i pakënaqur, pasi nuk ndjente ndryshime të thella. Rruga e heremitit, agjërimi, joga, të gjitha i dolën të kota.
Një herë Sindarta donte të kalonte lumin . Rrjedha e lumit ishte e fortë , ndërsa Sindarta ishte kaq i dobët sa që ju morën mëndt dhe ra në ujë. E mori lumi, por megjithatë, dha të gjithë fuqinë e mbetur për tu kapur në një rrënjë të një peme dhe rrjedha e lumit e dërgoi në breg.
Në një gjendje të tillë, duke mos pasur fuqi për të dalë nga lumi , Sindarta papritmas kuptoi se : ‘’Jeta është e ngjashme me oqeanin. Dhe nëse jeta është një oqean, atëherë të gjitha ato që bëj janë një gabim i madh. Nëse jam katandisur të mos jem i aftë të mos kaloj një lumë si do të mund të kaloj oqeanin e jetës? Rruga ime nuk është e duhura. Jam shumë i dobët, ndërsa për tu ngjitur tek Zoti, më nevojitet shumë energji’’.
Përfundimisht doli nga lumi, u shtri nën një pemë për tu çlodhur. Ajo natë kishte hënë të mbushur. Për herë të parë pas gjashtë vitesh jete prej heremiti, Sindarta ra në gjumë të thellë pa ëndrra. Në mëngjes kuptoi se nuk nxitohej për të arritur diku, nuk kishte ndonjë objektiv përpara tij, nuk duhej të bënte ushtrime. Ishte hera e parë që ndjente një liri të plotë. I shtrirë nën pemë vëzhgonte agimin e diellit. Shikonte mënyrën me të cilën shuhej dhe ylli i fundit i mëngjesit. Thuhet se në momentin që u zhduk ky yll, u zhduk dhe Sindarta. Atëherë Lindi Buda!. Në një moment kaluan përpara tij 6 vitet e sorollatjes si një makth, por ato mbetën në të kaluarën .
Buda u ndriçua!

* Një fshatar i varfër priste shumë ditë që të ftonte Budën në shtëpinë e tij. Një ditë herët në mëngjes qëndroi afër pemës nën të cilën po flinte Buda për të qënë i pari që do ta ftonte.
Kur Buda u zgjua, fshatari i tha:
- Të lutem pranoje ftesën time. Ëndërroja për shume vite dhe mezi e prisja momentin që do të vizitonit shtëpinë time. Jam njeri i varfër dhe nuk mund të ofroj shumë gjëra, por të lutem mos e refuzo ftesën time.
Buda ju përgjigj se do të shkonte.
Në të njëjtin moment arriti qeveritari i krahinës i shoqëruar nga shumë njerëz, i cili i tha Budës:
- Të ftoj në pallatin tim. Ma bë këtë nder.
Buda i tha qeveritarit:
- Sot nuk do të mundem, pasi tashmë i kam premtuar këtij njeriu. Tryeza e varfër e fshatarit kishte vetëm një ushqim: ishin kërpurdha kukarmuta , që rrallë herë janë helmuese. Fshatari i shkretë nuk e dinte. Kur Buda filloi të hante e ndjeu shijen e hidhur, por megjithatë nuk donte ta thoshte, për të mos mërzitur të zotin e shtëpisë. Kështu Buda hante kërpurdhat helmuese dhe njeriu i varfër ishte i lumtur.
Buda u kthye tek nxënësit e tij dhe helmi filloi të vepronte duke i krijuar dhimbje të mëdha. Doktori kur e vizitoi i tha:
- Gjëndja është shumë e vështirë. Helmi ka penetruar në gjak dhe është e pamundur të shpëtohet. Buda do të vdesë.
Buda u tha nxënësve të tij që u mblodhën përreth tij:
- Është një njeri i shkëlqyer. Ushqimin e parë ma dha nëna ime dhe të fundit ai. Nëna ime më ndihmoi të shikoj këtë botë dhe ai më ndihmoi të shikoj botën tjetër. Duhet të silleni me respekt ndaj tij.
Nxënësit e tij ishin shumë të mërzitur dhe Ananda tha me zemërim:
-Çfarë thua Mësues?! Ta respektojmë ashtu sikur nënën tuaj? Ai është vrasës! Dhe meriton vdekje për atë që bëri.
Buda i tha nxënësve të tij:
- Po, e di se mund të vrisni atë njeri të shkretë, por ju do të bëni atë që po ju them unë, pasi Buda pranon helm, por ofron dashuri.

* Një Brahman (klerik) i famshëm pyeti Budën, se çfarë veçorish kishte sakrifica supreme. Dhe Buda i tregoi një histori me një mbret të fuqishëm që jetonte shumë shekuj më parë. Pas një lufte të madhe ku arriti të konkuistonte gjysmën e globit, dëshiroi të bënte në nder të perëndive një sakrificë të madhe.
Kështu thirri një shenjtor shumë të njohur dhe kërkoi këshillën e tij për të plotësuar dëshirën e tij. Duke ju përgjigjur, shenjtori i tha mbretit, se fillimisht duhet ti jepte shtetit qetësinë, prosperitetin dhe sigurinë dhe vetëm atëherë do të mund të bënte sakrificën. Nuk duhet të vritet asnjë qënie e gjallë. Duhet të hidhen në humnerën e Malit të Shenjtë njëqind kova qumësht, gjalpë dhe mjaltë. Dhe vetëm kështu sakrifica do të arrinte qëllimin e saj.
Në vazhdim, Buda vijoi:
- Por ekziston një tjetër sakrificë, që është shumë më e lehtë dhe më supreme, të ndërtosh një Tempull për Zotin dhe për nxënësit e tij.
Por ekziston edhe një sakrificë më supreme nga e kaluara, të ndërtosh brënda teje Tempullin e të vërtetës dhe kurrë të mos vrasësh qënie të gjallë dhe të shmangësh gënjeshtrat.
Por ekziston dhe sakrificë më supreme, kur dikush bëhet murg dhe refuzon të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e kësaj bote.
Por për njeriun e thjeshtë sakrifica supreme është , të arrijë me fuqinë e shpirtit të tij sigurinë se nuk e prekin të mirat e materialeve të kësaj bote.

* Momentin që Buda u bë i Ndriçuar ishte nata e Hënës së Mbushur. Të gjitha mërzitë dhe shqetësimet e tij u zhdukën, sikur të mos kishin ekzistuar asnjëherë, sikur dikur ishte i fjetur dhe tani u zgjua. U zhdukën të gjitha problemet dhe pyetjet e papërgjigjura që më parë e torturonin. Ndjente plotësinë e Ekzistencës dhe Bashkimin me Natyrën.
Pyetja e parë që i lindi në mendjen e tij ishte : ‘’Si mund të shpreh të gjitha ato që mendoj? Duhet tju shpjegoj bukurinë e së Vërtetës, duhet tju tregoj Realitetin. Por si do ta bëj?’’
Kjo ishte një pyetje që torturonte çdonjërin nga ata që u ndriçuan dhe njohën të vërtetën.
Njerëz nga e gjithë bota erdhën për të parë , pasi të gjitha qëniet kanë tendencë të drejtohen drejt Dritës.
Mendimi i parë që shprehu ishte: ‘’Çdo mendim i shprehur është një gënjeshtër’’. E tha dhe pastaj heshti. Heshtja zgjati shtatë ditë. Kur e pyesnin për diçka ai ngrinte dorën e tij me një ton të rëndë dhe me gishtin e tij tregonte drejt qiellit.
Miti thotë se : ‘’Zotat mbi qiell u shqetësuan. Përfundimisht mbi tokë u shfaq një njeri i Ndriçuar. Ky është një fenomen shumë i rrallë! U shfaq mundësia për tu bashkuar bota e njerëzve me Botën Superiore… por njeriu i cili mund të bëhej urë midis Qiellit dhe Tokës nuk flet. Pas shtatë ditësh Zotat bashkë me mbretin e tyre Indra, zbritën në tokë dhe takuan Budën. Prekën shputën e tij dhe i kërkuan të mos mbetej i heshtur.
Buda ju tha:
- Shtatë ditë mendohem mbi gjërat pro dhe kundër, dhe akoma nuk shikoj arsye se përse të flas. Fillimisht nuk ekzistojnë fjalë që të mund të shpreh eksperiencën time të mrekullueshme. E dyta, gjithçka që do të them nuk do të bëhem i kuptueshëm. E treta, 99 personave nga 100 përvoja ime nuk do tju ofrojë asgjë, ndërsa ai që është i aftë, mund ta gjejë dhe vetë të Vërtetën. Përse tja heq këtë mundësi? Ndoshta kërkimi i të vërtetës do të zgjasë shumë më tepër. Dhe çfarë ndodhi? Përpara tij çdonjeri ka shumë shekuj!
Atëherë Zotat i thanë:
- Ndoshta do të prishet bota meqënëse zemra e Perfektit preferoi Heshtjen. Buda i madh duhet të predikojë Doktrinat e tij. Mbi tokë ekzistojnë njerëz me shpirt të pastër të çngulitur nga materializmi, por nëse doktrina jote nuk do të prekë zemrën e tyre, atëherë ata do të vdesin. Ata kanë nevojë një shtytje të lehtë, një fjalë të drejtë. Vetëm ti do të mund ti ndihmoje të bëjnë hapin e vetëm të drejtë drejt të Panjohurës.
Mbizotëroi heshtje… pastaj Buda mbylli sytë e tij dhe tha:
- Sigurisht, do të flas për ata të paktët. Nuk kam kaq fuqi për tju treguar të gjithë të Vërtetën, por mund tju tregoj Yllin udhëheqës.

* Një njeri erdhi tek Buda dhe e pështyu në fytyrë. Buda fshiu fytyrën e tij dhe e pyeti:
- Vetëm kaq? Mos do ndonjë gjë tjetër?
Ananda kur e pa u vërsul i zemëruar, duke thirrur me keqadashje:
- Mësues! Më lejo ta ndëshkoj këtë njeri mediokër!
- Ananda, u bëre Sanias( njeri që braktisi gjërat botërore dhe dedikoi jetën e tij Zotit), por disa herë e harron këtë gjë, tha me qetësi Buda, nuk e kuptove se si ky fukarai ka vuajtur shumë, shikoji sytë e tij që u skuqën nga zemërimi. Me sa duket nuk ka fjetur gjithë natën përpara se të bënte këtë veprim. Pështyma ishte rezultati i kësaj çmendurie dhe tani ndoshta u çlirua nga dashakeqja e tij. Duhet të tregosh dhembshuri, ndërsa ti do ta vrasësh dhe të bëhesh i çmendur si ai!

* Një herë Sindarta banonte afër Sabatit, në Xhetavana, në manastirin Anata Pindika. Atje një mëngjes, pasi u vesh dhe mori kupën dhe mantelin e tij, u fut në Sabati për të kërkuar lëmoshë.
Në atë kohë në shtëpinë e Brahmanit Agika ndizej zjarri i sakrificës dhe ofertat ishin mbledhur. Atëherë Sindarta dukë lypur derë më derë, arriti në shtëpinë e Brahmanit Agita. Agita duke e parë nga larg Sindartën i bërtiti: ‘’Ndalo atje morracak! Ndalo atje Sramana gjynahqar! Ndalo atje i degraduar!’’ kur dëgjoi këto fjalë Sindarta ju përgjigj me këtë mënyrë Brahmanit:
»A e di o Brahman se çfarë është një i degraduar apo gjërat që bëjnë një njeri të degraduar? Dëgjo o Brahman të ti them. Njeriu që ka urrejtje dhe që zemërohet, që është keqadashës dhe hipokrit, që beson në mendime të gabuara, që është mashtrues, mëso se ky njeri është degraduar.
»Ai që në këtë botë dëmton qënie të gjalla si të jetë si të mos jetë i dyherëlindur (initacionant) dhe tek i cili nuk ekziston dhembshuri për qëniet e gjalla, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që shkatërron apo rrethon qytete dhe fshatra dhe njihet si armik, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që vjedh, ai që thotë gënjeshtra, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që pavarësisht se është i aftë, nuk mirëmban nënë apo babain e tij kur të jenë plakur, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që , kur pyetet se çfarë është e mirë, jep këshilla të këqija dhe mban sekrete, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që ka kryer një mëkat, dhe që shpreson që mos ta marrë vesh njeri se e bëri ai, dhe bën keq fshehurazi, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që që vjen në orën e ushqimit, dhe i kërkon me fjalë si një Brahmani ashtu si edhe një Sramana dhe ata nuk i jep asgjë, mëso se ata janë të degraduar.
» Ai që është i mbështjellë në padituri, dhe nuk fal asgjë, por flet në mënyrë të pahijshme, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që lartëson veten e tij dhe ndjen neveri për të tjerët për arsye të krenarisë, duke qënë ai vetë i ulët, mëso se ai është i degraduar.
» Ai që shan Budën (të ndriçuarin) apo nxënësit e tij, një lypës që sillet apo një nikoqir, mëso se ai është i degraduar.
»Ai që nuk është shenjtor por megjithatë hiqet si i tillë, ai është hajduti më i madh në të gjitha botët dhe është me të vërtetë më i keqi nga të degraduarit.
Ata që të kam përshkruar me të vërtetë quhen të degraduar. Nuk bëhet që nga lindja e tij dikush i degraduar, dhe as nuk bëhet dikush që nga lindja e tij Brahman. Nga veprat e tij bëhet dikush i degraduar dhe nga veprat e tij bëhet dikush Brahman.

* Buda ishte i ulur në hijen e pemës Vajan kur ju afrua një princ i fuqishëm mbi kalin e tij madhështor, i cili ishte i mbuluar me një mbulesë të shkëlqyer. Pas tij ekzistonte një grup i madh njerëzish oborrtarësh dhe roje personale. Pasi e përshëndeti , i kërkoi të bëhej nxënësi i pranuar i tij. Buda ju përgjigj se ai nuk ishte gati akoma.
Princi, i turpëruar u kthye në pallatin e tij dhe filloi të meditojë mbi arsyen se përse e kishte refuzuar i Ndriçuari. Arriti në konkluzionin se gabimi i tij ishte mënyra e shfaqjes së tij përpara atij që dëshironte të bëhej mësuesi i tij. Ajo mënyrë aq luksoze nuk ishte e drejtë.
Kaloi një vit dhe princi u riparaqit përpara Budës. Këtë herë ishte i vetëm dhe në këmbë, i veshur shumë thjeshtë. I bëri të njëjtën kërkesë, por mori të njëjtën përgjigjje negative. Princi, që interesohej me të vërtetë për të mësuar nga i Ndriçuari, u dëshpërua kur pas shumë meditimesh nuk kishte arritur të kuptonte se cila ishte mënyra e duhur për tu paraqitur pëprara Mësuesit.
Kështu pas një viti ju afrua Budës shumë heshturazi, i veshur me thjeshtësinë më të madhe dhe kur Buda hapi sytë e tij dhe i nguli mbi të, princi u ul në gjunjë dhe i lutej ta testonte , ti jepte një mundësi sado të vogël, pasi ankthi dhe stresi që ndjente, që nuk kishte as mundësinë për tu testuar, i shterronte besimin dhe i shkatërronte jetën.
Sindartës i erdhi keq për të dhe i tha se gjatë vitit që do të fillonte do të shkonte ai vetë ta takonte. Princi kërcente nga gëzimi i tij dhe i premtoi se nëse ai e bënte një gjë të tillë, do ti përgadiste një pritje madhështore dhe se do ta mbushte me pasuri dhe me lavdi. Buda mbylli përsëri sytë dhe vazhdoi meditimin e tij.
Pasi kaloi viti, princi ju afrua përsëri Budës, shumë i dëshpëruar. Ra në këmbët e tij dhe me lotë në sy i tha se ai nuk kishte vajtur në takimin që i kishte premtuar, pasi ai e priste një vit të tërë dhe nuk e kishte parë.
Sigurisht që më pe, i tha Buda. Dhe më largove nga afër teje me shqelma.
Princi , i tmerruar u betua 100 herë se nuk kishte bërë dicka të tillë.
Buda i tha:
- E mban mend atë plakun që tu afrua gjatë paradës kur ti po kalëroje, dhe që ti e përzure me shqelma? Ai isha unë.

2 comments:

Anonymous said...

Emri im është Joana Berankis dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij në shpëtimin e marrëdhënies sime. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159

Anna Gjoci said...

Faleminderit për atë që bëre për mua { Dr. Ellen}! Burri im ndaloi së plotësuari dokumentet e divorcit pasi të kontaktova që të më ndihmoje të ndaloja divorcin me burrin tim dhe tani gjërat po shkojnë shumë më mirë. Siç the i gjithë procesi i divorcit është anuluar dhe gruaja e keqe që po shkakton problemin në martesën time ka lënë burrin tim dhe tani jemi të lumtur së bashku. Nëse po e shihni këtë dëshmi dhe keni probleme në marrëdhënien tuaj, martesën ose ndonjë problem tjetër. , ju mund të kontaktoni atë me email:( ellenspellcaster@gmail.com ) ose WhatsApp saj ( + 2349074881619 ).

Ai specializohet në magjitë e mëposhtme:

* Duajini Spells
* Flet martesa
* MAGIKI I PARË
* Folje të mira
* Foljet e shëndetit
* Spells Seksual ATTRACTION
* MAGIKA E KRYESORE
* Kazino Cave
* Merrni masat e mallrave
* Foljet e mbrojtjes
* Lottery magji
* Flet LUKKY
* Folje të mirë