Faraoni egjiptian Keops(Kufu) mbretëroi gjatë Perandorisë së Vjetër, në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të tretë para erës sonë(rreth vitit 2580 p.e.s). Gjatë mbretërimit të tij janë ndërtuar piramidat më prestigjioze.Piramida e Keopsit, në Gizeh, konsiderohet si piramida më madhështore. Ajo bënte pjesë në një kompleks monumental, që përfshinte vende varrimi për familjen e mbretit dhe për fisnikët e rrethit të tij.
Ajo që ne dimë për arsyen e ekzistencës së Piramidës së Madhe dhe për ndërtimin e saj mbështetet vetëm tek analiza e gjetjeve arkeologjike. Varret e tjera që gjenden në kompleksin monumental na japin më tepër informacione për epokën, sesa vetë piramida. Nuk ka mbijetuar asnjë tekst i asaj kohe dhe në epokën e qytetit Gizeh, në varrin e faraonit nuk vendosej asnjë i tillë. Për shkakun dhe mënyrën e ndërtimit të Piramidës së Madhe janë bërë spekulime të shumta.
Vetëm një qeveri e fuqishme dhe e përqendruar mund të merrte përsipër ndërtimin e piramidave. Mbishkrimet mbi varre të fisnikëve të rrethit të faraonit, të varrosur pranë zotit të tyre, na përcjellin listen e funksioneve të tyre gjatë viteve të shërbimit. Këto lista provojnë se administrata ishte shumë e organizuar, e ndarë në ministri, me funksione të përcaktuara mirë. Pa dyshim që ekzistonin shërbime publike të specializuara, por administratorët e faraonit duhej të ishin të aftë për të kryer funksione të ndryshme: juridike, civile, ushtarake, financiare ose si oborrtarë që qëndronin pranë sundimtarit. Mbi derën e rreme të varrit të një funksionari është gjetur lista e 47 funksioneve që ai kishte kryer. Mbreti ishte qendra e botës. Atij i bëheshin të gjitha nderet dhe vetëm ai mund të jepte mbrojtje dhe favore.
Edhe në këto kohë të lashta, gratë e shtëpisë mbretërore luanin një rol thelbësor; provë për këtë janë zbulimet në varrin e mbretëreshës Heteferes, nënës së Keopsit. Ajo është quajtur "Vajza e Zotit, gjithë fjalët e të cilit janë krijuar vetëm për të". Mbishkrimi i varrit e përshkruan mbretëreshën jo vetëm si zonjën e haremit, por edhe si këshilltaren e mbretit. Varri i saj është i vetmi varr mbretëror i paprekur i Mbretërisë së Vjetër. Atje janë gjetur mobilie, vazo, poçe me pomade, pudër, bizhuteri dhe manikyr prej ari. Sarkofagu prej alabastre ishte i zbrazët, por disa qypa përmbanin ende organe njerëzore të lyera me sodë. Bëhet fjalë për shembullin më të vjetër të heqjes së organeve përpara mumifikimit. Arkeologu që ka zbuluar varrin e Heteferesit ka hedhur idenë se Keopsi e kishte zhvarrosur kufomën e nënës së tij nga një varr më i vjetër, për ta varrosur pranë piramidës së tij.
Piramida e Madhe e Keopsit është pak më e vogël se ajo e babait të tij, Snefru, por ajo konsiderohet si shembulli më i mirë i gjenisë egjiptiane në fushën e ndërtimit. Ajo është e lartë mbi 146 metra dhe mbulon 5.3 hektarë tokë. Ajo përbëhet nga më shumë se 2 milionë blloqe guri shumë të mëdhenj. Vendimi që dhoma mortore të ishte brenda piramidës u mor kur piramida ishte duke u ndërtuar. Projekti i dhomës së nëndheshme u braktis dhe punëtorëve iu desh të shponin një korridor, që ngjitej lart, në një mur që, tashmë, kishte përfunduar. Brenda piramidës ka dy galeri. Ajo më e gjera, Dhoma e Mbretit, është ndërtuar tërësisht në granit. Më e vogla, e quajtur gabimisht Dhoma e Mbretëreshës, ka shumë të ngjarë të mos ketë përfunduar kurrë.
Në piramidë nuk është gjetur asnjë kufomë dhe asnjë dhuratë mortore, por një nga dhomëzat (në anën lindore) përmbante një lundër mortore në gjendje aq të mirë, saqë nuk kishte nevojë pë meremetime. Ky zbulim na jep më tepër informacion për lundrimin dhe tregtinë, sesa për besimet dhe ritet mortore të epokës. Mungesa e trupit ka bindur disa historianë se piramida nuk ka shërbyer si varr dhe, madje, është hedhur hipoteza se bëhej fjalë për një observator për të studiuar qiellin.Anët e kësaj barke, të gjata afërsisht 20 metra, ishin prej druri cedre, i importuar nga Libani. Ajo nuk kishte pjesë të poshtme boshtore dhe dërrasat bashkoheshin me thumba dërrase dhe me litarë. Të çarat nga litarët në drurin e barkës tregojnë se ajo kishte bërë shumë udhëtime dhe nuk ishte ndërtuar thjesht për të zbukuruar varrin.
Sipas legjendës, perëndia Oziris është vrarë dhe copëtuar nga vëllai i tij armik, Seth. Gruaja e tij zemërmirë, Izis, mblodhi pjesët e trupit të tij dhe u dha jetë. Por, tashmë, Oziris nuk mund të mbretëronte më mbi tokë. Ai u bë gjykatësi i Botës së Nëntokës. Djali i tij Horus, u hakmor për vdekjen e të atit, duke vrarë Sethin dhe duke bërë të mundur që drejtësia dhe rregulli të mbretërojnë mbi tokë. Sa ishte gjallë, Faraoni ishte Horusi. Pas vdekjes, ai bëhej Ozirisi.
Shtimi i përvitshëm i ujërave të Nilit, ngjarje e lidhur me Ozirisin, u konfirmonte egjiptianëve idenë se edhe pas vdekjes, Mbreti i tyre Perëndi kujdesej për ta. Historia e Horus-Oziris lë të kuptohen fuqia e faraonit dhe shkaku se pse populli i tij ishte gati të ndërtonte varre kaq të mëdha. Duke qenë Zot i mbretërisë së të gjallëve dhe i asaj të të vdekurve, faraoni i jepte popullit të tij sigurinë në këtë jetë dhe shpëtimin pas vdekjes.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E KEOPSIT
* Historiani grek Herodoti tregon se në shekullin V para erës sonë tradita egjiptiane e konsideronte Keopsin si një sundimtar despotik. Por sot hidhet poshtë nga historianët teza se një monument si piramida është ndërtuar nga një popull-skllav, për të kënaqur megalomaninë e princit. Pjesa më e madhe e punimeve të vështira për piramidat është kryer gjatë sezonit të shirave. Në këtë periudhë, tokat ishin të pakultivueshme dhe blloqet e rënda të gurit mund të transportoheshin deri në kantier me lundra. Punimet fine bëheshin nga ekipe që mbanin emra të tillë, si "Horizonti i Keopsit", të cilët, me një krenari për punën që bënin, i gdhendnin emrat e tyre mbi gurë.
* Piramida e Madhe ka bërë të lindin aq shumë teori fantaziste, sa që është propozuar emri "piramidiots" për të cilësuar ata që shohin mistere në dimensionet e saj. Ideja se format dhe përmasat e piramidës pengojnë erozionin vjen nga besimi te një forcë magjike që të përtërin: "fuqia e piramidës". Është pretenduar se përmasat e piramidës tregonin rrezen e rruzullit të Tokës, largësinë deri në Hënë, madje, dhe numrin (Pi) shumë përpara se matematicienët grekë ta përdornin këtë për të llogaritur sipërfaqen e rrethit.
* Teoria më fantaziste pretendon se egjiptianët nuk zotëronin teknologjinë e duhur për të ndërtuar piramidat. Ato na qenkan ndërtuar nga jashtëtokësorët! Sidoqoftë, edhe pse shumë gjëra kanë mbetur ende të paqarta, përgjithësisht, pranohet se piramidat kanë qenë varre dhe specialistët mund të përshkruajnë hollësisht mënyrën se si janë ndërtuar ato.
* Sidoqoftë, Keops (Kufu) ishte më i madhi ndër ndërtuesit e piramidave.
1 comment:
Pune e mire vazhdoni keshtu
Post a Comment