14 February 2011
Viti i Mbrapshte '97
Që të nesërmen e aventurës marramendëse kushtetore të 6 nëntorit 1994, Partia Demokratike njohu një krizë të re : Presidenti i saj në funksion Eduard Selami braktisi kolltukun dhe përplasi derën, i mohuar nga shokët dhe kolegët e partisë pasi kish guxuar të kritikonte Mjeshtrin dhe metodat e tij. Besnikë të zakonit të tyre, demokratët flaknin tutje intektualët pas çdo fushate zgjedhjesh, qofshin ato fitimtare apo hupëse, për shkak të përleshjeve të brendshme që zjenin në gjirin e lëvizjes (1). Për të gjithë shpirtrat e shëndoshë, ishte më se e qartë që temat e mëdha të debatit kushtetues do të riçfaqeshin me rastin e betejës së ardhshme elektorale të vitit 1996 : me siguri, Partia Demokratike do të mbronte bilancin e saj të shkëlqyer ekonomik dhe do të trajtonte temën e të ardhmes së vendit nën dritën e vazhdimësisë të reformave të ndërmarra ndërkohë që opozita do të sulmonte autoritarizmin e Presidentit dhe devijimet e natyrës arbitrare të aparateve dhe të institucioneve. Sidoqoftë, disa indikatorë makroekonomikë tregonin një farë çrregullimi të sistemit (2), një dihatje pothuaj të padukshme të makinës volontariste të pushtetit e cila e kish humbur disi frymëzimin e saj fillestar , me fjalë të tjera, megjithëse bashkësia e faktorëve të çliruar nga mekanizmi i ri ekonomik vazhdonte të peshonte fort mbi balancë, megjithëse dinamika ishte gjithmonë prezente për të prodhuar rritje të produktit ekonomik – e mbështetur në rradhë të parë nga konsumi i familjeve në përmirësim të ndjeshëm, kjo dinamikë mbetej gjithmonë dhe gjerësisht e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e Shtetit për fonde dhe ende më pak ish në gjendje për të mbështetur korrigjimin e domosdoshëm sektorial të ekonomisë. Pasi kish kaluar një fazë të vështirë të emergjencës (1991 – 1992), ekonomia kish dalë nga faza e saj e dytë e rimëkëmbjes (1992 – 1993), e realizuar me ndihmën e privatizimeve masive, efektet e të cilës mbi inflacionin dhe papunësinë ishin ende të dukshme në vitin 1994. Një vështrim më analitik mbi rritjen – mbi këtë tregues ekonomik që kish magjepsur vëzhguesit e huaj, tregon që ajo realizohej pothuaj plotësisht nëpërmjet sektorit primar - bujqësisë. Por kjo bujqësi e privatizuar që afishon nivele rritjeje marramendëse nga një vit në tjetrin (18.5% të rritjes së PPB në vitin 1992, 10.4% në 1993, 8.5% në 1994 dhe 13.2% në vitin 1995), duke punësuar më tepër se gjysmën e krahut të punës në nivelin kombëtar dhe që realizon mbi 55% të volumit të Produktit të Përgjithshëm Brut në vitin 1994, nuk është në gjendje as dhe të barazohet me prodhimin bujqësor të 1990, vitit më të mbrapshtë që kish njohur rregjimi komunist. Çfarë përfaqëson në fund të fundit kjo bujqësi e privatizuar ? Diçka rreth 420.000 njësi prodhuese private me një sipërfaqe mesatare prej 1,4 hektarësh sejcila, të shtrira mbi dy ose tre parcela jo të bashkëngjitura, të orientuara në mënyrë të pandryshueshme drejt prodhimit të perimeve të hershme ose të tjera polikultura dhe që përbuz në mënyrë thuajse sistematike « kulturat e mëdha të industrializuara », ose që i kushtohet mbajtjes të një tufëze private prej disa kokë bagëtish (3). Në këtë mënyrë është prekur zemra e problemit që ndikon të gjithë politikën ekonomike të vendit, me rrjedhoja të pashmangëshme mbi plane të tjerë : përderisa ekonomia do të mbështetet mbi një sektor primar dominant nga pikpamja e krijimit të PPB, ajo do të varet gjerësisht nga kapacitetet e tij prodhuese. Por këto të fundit janë të kufizuara në mënyrë të ndjeshme nga struktura e pronës bujqësore e cila, për shkak të coptimit të saj të jashtëzakonshëm, është e prirur t’i kushtohet prodhimit të një game të ngushtë produktesh të karakterit sezonal dhe të konsumit të përditshëm. Përfundimisht, kjo bujqësi e privatizuar nuk e tejkalon cakun ekonomik të mbijetesës. E thënë ndryshe, pavarësisht kontributit qenësor të bujqësisë lokale, vendit i duhet vazhdimisht të çlirojë mjetet financiare të nevojshme për të importuar drithrat e bukës si dhe kulturat e tjera industriale, duke krijuar me këtë rast një faktor të vazhdueshëm çekuilibri në bilancin tregëtar. Për më tepër, elementi bazë i bujqësisë së privatizuar shqiptare – « fermat » private - nuk disponojnë mjetet e nevojshme për mbijetesën e tyre ekonomike dhe detyrohen të çlirojnë në mënyrë sistematike krahun e tepërt të punës në një treg kombëtar të punës, të cilit gjithashtu i mungojnë zgjidhjet e punësimit. Kjo gjendje ushqen emigracionin e brendshëm, duke krijuar një presion të jashtëzakonshëm të natyrës socio-ekonomike mbi qytetet dhe veçanërisht mbi metropolin e Tiranës, ndërkohë që mban gjallë edhe rreshtin fort të gjatë të kandidatëve drejt kurbetit. Për të kuptuar sadopak arsyen e një mekanizmi të tillë agrar që mbështetet mbi atomizimin e pronës private, duhet të rikthehemi disa vjet prapa dhe të ndalojmë turrin në atë vit zulmëmadh 1991 : në 19 korrik, Parlamenti i mbizotëruar nga deputetët komunistë aprovoi « Ligjin mbi tokën », i cili përveç shkrirjes së kooperativave bujqësore, dekretoi edhe fundin e pronës kolektive. Ky ligj parashikonte rikthimin e tokave të kolektivizuara antarëve të vjetër të kooperativave dhe që figuronin si të tillë deri në 31 korrik të vitit në fjalë (1991), duke kthyer në të pavlefshëm caktimin e mëparshëm të kufijve të tokave, të kryer në vitin 1946. Ndarja e tokës duhej të realizohej pa asnjë kompensim financiar, sipas kritereve të barazisë të të drejtave të banorëve të fshatrave. Ndërkohë që parashikonte procesion e trashëgimisë së pronës, Ligji i ri i tokave ndalonte shitjen dhe linte të lirë dhënien me qira, me të vetmin qëllim për të parandaluar zhdukjen e pronave të vogla në përfitim të spekullantëve agrarë ose të investuesve privatë. Ky Ligj madhor i tranzicionit të shoqërisë shqiptare drejt një ekonomie të tregut përfshihej në një logjikë socio-politike të riprivatizimit, i cili ndiqte vazhdën e një tjetër logjike ende më globale, ajo e të drejtës së atij që kish zënë tokën për momentin për t’u shëndrruar në pronar të saj ose të logjikës të aktualitetit, ose së fundi e logjikës së të drejtës të përdoruesit për t’u shëndrruar në pronar. (4) Megjithë fillimet e vrullshme, programi agrar i pushtetit demokratik u detyrua të frenojë përballë një varg vështirësish : rezistencë e familjeve « autoktone » ndaj « të ardhurve rishtas » që sipas mendimit të përgjithshëm ishin duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga kjo pasuri, refuzim i kufijve të rinj të pronave pasi fshatarët kërkonin të rivinin në « sinoret origjinale » të fiksuara gjatë Reformës agrare të vitit 1946, abuzime ndaj zbatimit të Ligjit nga ana e antarëve të komisioneve lokale të cilët mundoheshin të favorizonin familjet ose miqtë e tyre… Situata u rëndua edhe më tepër kur fshatarët e lodhur dhe të mërzitur filluan të pushtonin ilegalisht terrenet pa pritur vendimet e komisioneve. Tensioni në fshatra u bë i prekshëm ; më në fund dhe pas disa hezitimesh, qeveria ndërhyri dhe premtoi të ndëshkonte të gjithë ata që pengonin mbarëvajtjen e procesit të rishpërndarjes të tokave. Reforma agrare e Republikë së Tretë (1991 – 1995) realizoi një transformim radikal të tipit të pronësisë mbi tokën : 97% e sipërfaqes të tokave të kultivueshme ju rishpërndanë personave privatë dhe mbi gërmadhat e sistemit të dikurshëm të përbashkët u ngrit një luzmë pronash të vogla bujqësore. Sidoqoftë, rishikimi dhe korrigjimi i një reforme të mëparshme – ajo e vitit 1946, e kryer nën Republikën e Dytë – shtroi një problem themelor : të rikthehej toka – OK, por kujt pronari ? Vështrimi më i shpërfillur i hedhur mbi këtë çështje zbulon karakterin e saj tepër kompleks, për të mos thënë të pazgjidhshëm : ndërmjet periodës 1945 - 1991, sipërfaqja e tokës së punueshme ishte rritur me 82% ndërkohë që popullsia e vendit ishte trefishuar. Ndërkohë që lidhur me sipërfaqen e tokës të trashëguar që nga koha e Monarkisë së Zogut - diçka më tepër se gjysma e egzistueses – njiheshin qoftë edhe virtualisht pronarët e parë, ata që ishin shpronësuar gjatë vitit 1946, si i bëhej me fshatarësinë e lindur dhe të rritur gjatë gjysmës tjetër të shekullit, periudhës komuniste ? E thënë ndryshe, si mund të pajtohej ideja për të ndrequr « atentatin ndaj pronës private » me vullnetin për të vendosur një « drejtësi të re sociale », ndërkohë që numri i pronarëve potencialë ishte përcaktuar nga një « padrejtësi demografike » ? Pronarët e dikurshëm ende gjallë sikundër dhe trashëgimtarët e tyre, pjesa dërrmuese e të cilëve jetonte në mjedisin urban, kërkuan – me të drejtë – të rimerrnin pronat e tyre të grabitura gjatë komunizmit. Realizimi i kësaj kërkese kërkonte para së gjithash shpronësimin e disa dhjetra mijra familjeve fshatare që kishin përfituar nga pronat e të parëve gjatë reformës agrare të 1946 dhe që për më tepër, i kishin punuar këto toka që prej 50 vjetësh. Ngatërresa juridike u zgjidh nga Parlamenti, në një klimë të rrallë konsensusi mes dy partive kryesore të vendit – Demokrate dhe Socialiste – dhe në kundërshtim me dëshirën krejt të kuptueshme të Partisë Republikane (5). Sipas këtij konsensusi, parimi bazë i reformës përmblidhej në shprehjen : « Toka i takon atij që e punon » - një zbatim origjinal i demokracisë nga ana e PD, aq më tepër që marka e tij e fabrikës ishte antikomunizmi. Kjo fasadë populiste e krijuar me kaq mjeshtëri prej demokratëve berishjanë fshihte një aspekt tepër banal por jashtëzakonisht përfitues : ai i atyre mijra hektarëve, të zëna nga objektet industriale të ndërtuar pranë qyteteve, të cilët ishin nxjerrë në ankand që prej vitit 1991. Pronarët e rinj që kishin përfituar nga « oferta » bujare e privatizimit të këtyre objekteve, kishin përvehtësuar objektin e tyre « ligjërish të blerë » përpara se sa Ligji vetë të njihte të drejtat e pronarëve të dikurshëm ose të fiksonte rregullat e dëmshpërblimit. Një pjesë e tyre gjendej e ulur në fronat e Parlamentit – në atë krah të sallës të rezervuar për demokratët – dhe ishin po ata që kishin përpunuar nenet e Ligjit të shumëpritur. Duke ligjëruar në këtë mënyrë « blerjet » e tyre, ata ja kishin lënë Shtetit barrën e pagesës së faturave të tyre personale : fundi i fundit, bëhej fjalë për një shërbim minimal në krahasim me meritat e tyre si dhe me kontributin e paçmuar ndaj vendit dhe popullit. Kjo shpjegon njëkohësisht edhe gjendjen e vajtueshme të infrastrukturës së informacionit që shoqëroi procesin e privatizimit, opacitetin e plotë që karakterizoi funksionimin e organizmave të caktuara për të zbatuar legjislacionin adekuat (Agjensia Kombëtare e Privatizimeve ose Ministria e Privatizimit që nga viti 1996) pa harruar së fundi, pengesat sistematike të krijuara nga lobi i « importuesve » - këta burra ose gra tepër të lidhur me pushtetin që i frigoheshin ripërtëritjes së ekonomisë kombëtare. Ky kantjer i stërmadh i privatizimit të ekonomisë ilustron në mënyrë të përsosur vendosmërinë e rregjimit demokatik për të mbrojtur dhe për të favorizuar të vetët si dhe këmbënguljen në konceptimin e anshëm të shtetit ligjor. Për naivët dhe ëndërrimtarët, për të gjithë ata që shihnin veçse « raste të izoluara », koha ruante surpriza të tjera ; ajo tregoi se kjo gjë ishte pjesë përbërëse e një linje veprimi, e një metode pune që shoqëroi deri në fund ushtrimin e pushtetit berishjan : krijimi rishtas i një klase të re pasanikësh, e cila do t’a mbështeste këtë pushtet nga ana materiale dhe morale. Të përkushtuar me mish dhe me shpirt ndaj demokracisë që i nxorri në dritë, që i bëri njerëz - bile dhe të pasur, ata do të shëndrroheshin në vektorin kryesor të jetës politike shqiptare – duke shkrirë në një të vetme paratë dhe pushtetin politik, në motorin e jetës ekonomike të vendit – duke dhënë shembullin e shpirtit ndërmarrës dhe të arritjes vetiake. Si shpërblim, ata mund të përfitonin nga zemërgjerësia dhe dorëlirësia e qeverisë e cila ju ofronte pjesë të tëra nga trashëgimia kombëtare dhe njëkohësisht garancinë të mosndëshkimit përballë shkeljeve të Ligjit. Duke u angazhuar në këtë rrugë tjetër të rrezikshme, demokracia berishjane u vu përballë disa dilemave : këta « sipërmarrës kurajozë », mbështetës të zjarrtë të demokracisë së re që nuk u dridhej aspak dora të financonin aktivitetin politik të PD, shumë shpejt u lëshuan në operacione të përmasave të mëdha, konturet e të cilave shpesh ndodheshin brenda zonave të errta të krimit të organizuar. Etja e fitimit qe e gjithëgjendur bile edhe brenda rradhëve të PD, një pjesë e funksionarëve të të cilës u bënë pre e tundimit të qarqeve paralele që sillnin të ardhura të stërmëdha, mjafton të ushtroje trafikun më elementar – atë të influencës. Klasën e re drejtuese e kish zënë sëmundja ngjitëse më e zakonshme e shoqërive të civilizuara, të ngritura mbi paranë-mbret, korrupsioni. Shumë shpejt, kjo praktikë u shëndrrua në universale dhe u pranua si « normale » ose si « e keqja më e vogël » nga e tërë shoqëria. Duke filluar nga funksionari më i thjeshtë – shembulli i policit të trafikut është ai më i përhapuri, deri në më supremin e gjykatësve, nga i zgjedhuri më i vogël lokal deri në më të fuqishmin e ministrave – duke kaluar nga mësuesja e kopshtit dhe nga mjeku i spitalit publik, të gjithë mund të « fitonin mjaft pa humbur pothuaj asgjë » ; mjafton të shpërbleheshin nën dorë për shërbimet e kryera. A kish vaksinë që mbronte nga kjo sëmundje kur rrogat ishin ibret, kur me to s’mund të mbyllje muajin, qoftë edhe vetëm për të ngrënë ? E lënë në duar të « ekspertëve » të tillë, fakti që ekonomia e vendit mbetej në nivele pothuaj rrafsh me tokën nuk duhej të habiste aspak. Megjithë rezultatet e shkëlqyera të trumbetuara nga qeveria Meksi, kjo fazë e rikonstruksionit ekonomik (1993 – 1995) nuk kish mundur të realizonte objektivat e saj. Ajka e industrisë së vendit – ajo e nxjerrjes së mineraleve dhe e prodhimit të lëndëve të para – mbetej gjithmonë në pikë të vdekur ndërkohë që, duke lënë mënjanë disa ndërmarrje që shfrytëzonin krahun e lirë të punës vendas (rroba të gatshme, këpucë dhe të tjera konfeksione, lëndët e para të të cilave vinin krejt nga jashtë shtetit), firmat e mëdha perëndimore dhe amerikane vazhdonin t’a injoronin krejtësisht Shqipërinë. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha ende nuk kishin gjetur blerës ; bile edhe shpikja e fundit e qeverisë – « letrat me vlerë » ose kuponat, që i jepnin të drejtë çdo individi të merrte pjesë në rishpërndarjen e pasurisë kombëtare – njohu një zhvillim fatkeq : megjithë ligjin e ri mbi Fondet e investimeve, ato nuk u morrën kurrë seriozisht nga Bursa e porsakrijuar e Tiranës. Duke humbur shumë shpejt vlerën e tyre, titujt financiarë u shëndrruan në copa letre pa asnjë vlerë, një mjet i pagabueshëm për të larguar përfundimisht interesin e opinionit publik nga procesi i privatizimit. Përballë këtyre pengesave që mund të tmerronin çdo qytetar evropian të arsyeshëm, shqiptari i mesëm afishonte një indiferencë pothuaj olimpjane pasi, i tejngopur me informacione ekonomike përgjatë një gjysëm shekulli komunist, ai kish humbur sensin e analizës dhe konceptet e tij mbi të ardhmen ishin ndikuar në një masë të gjerë nga propaganda qeveritare që ngjante si dy pika uji me atë të diktaturës së ndjerë. Ndërkohë, ai kish zbuluar lumturinë e konsumimit falë parave që rridhnin si « lumë » brenda vendit dhe sidomos, falë perspektivave marramendëse të ofruara nga një varg shoqërish krediti që bota mbarë do t’i njihte nën emërtimin ogurzi të « piramidave financiare ». Ekonomia shqiptare hynte në këtë mënyrë në fazën e saj të fundit, atë të spekullimit (1995 – 1996). Sipas të thënave, « shoqëritë » e para të këtij lloji u çfaqën zyrtarisht gjatë vitit 1994, ndërkohë që gjurmët e tyre të para çfaqen që prej vitit 1992. Në atë atmosferën e ethshme të biznesit që mbretëronte në metropolin e Tiranës, të mbuluar nga pijetoret, kafenetë dhe të tjera kioska - shpesh të ndërtuara me katër dërrasa dhe dy tabakë teneqeje, vetëm mungesa e transparencës të operacioneve lejonte investuesit e guximshëm të realizonin aktivitetet e tyre, shpesh të dyshimta. Pothuaj tërësia e biznesit zhvillohej jashtë qarkut klasik – duke preferuar më mirë trotuaret e mbipopulluara ose birraritë e tymosura se sa ato dy-tre sallat « luksoze » të bankave të vendit. Megjithatë, nuk përjashtohet që një pjesë e këtyre institucioneve që përzienin financën dhe aktivitetin ekonomik tradicional, të kenë realizuar ndërhyrje krediti ose të investimeve në fushat që garantonin rendimente të larta si ndërtimi, shërbimet ose tregëtia me pakicë. Bile ishte sektori i tregëtisë ai që shërbeu si fidanishte e iniciativave të para të këtij lloji : duke parashikuar ngopjen e tregut lokal të aparaturave elektroshtëpijake si dhe të mallrave të tjera të konsumit, disa shoqëri i paraprinë falimentimit dhe filluan të rimëkëmbnin kapitalin e tyre nëpërmjet një rruge jo të zakonshme, pikërisht duke thithur kursimet e njerëzve në shkëmbim të interesave tepër tërheqëse. Ky kursim, tradicionalisht i pakët përgjatë periudhës komuniste, u reduktua në hiç pas asaj sprove të pamëshirshme të inflacionit të çmendur të viteve të para të demokracisë. Veçse dy - tre vitet e fundit, ai fillon dhe rimëkëmbet dhe rritet në mënyrë eksponenciale – i llogaritur në rreth 250 milionë dollarë në shkallë vendi në vitin 1995, kursimi vlerësohet në 600 milionë në vitin 1996 dhe në 700 millionë një vit më pas - falë dërgimeve të emigrantëve, të zhvillimit të sektorit privat, i nxitur nga ndihmat dhe subvencionet ndërkombëtare dhe në rradhë të parë, nga shpërthimi i trafiqeve të të gjitha llojeve. Duke propozuar interesa të papara ndonjëherë, të nivelit 8 deri 10% në muaj, përgjatë dy viteve të para (1992 – 1994) një grusht shoqërish të këtij lloji që mbanin emra prozaikë – Vefat, Gjallicat, Kamberët, Silvat dhe të tjera Cenaj & Co, Leka apo Bendo – u shëndrruan në pesha të rënda të ekonomisë kombëtare. Nën drejtimin e disa personazheve të errët – një ish magazinier i ushtrisë popullore, një çift punonjësish ambasade apo të tjerë përfaqsues të proletariatit të dikurshëm – ato u lëshuan drejt « bizneseve normale krejt të ligjshme » të mbuluara nga Ligji, më saktësisht nga Kodi Civil (?!) – një tjetër çudi e legjislacionit shqiptar – i cili njihte si të rregullt çdo transaksion huaje të realizuar mes dy ose më tepër personash fizikë ose moralë. Në vitin 1995, si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit që i dhanë fund kasaphanës boshnjake, ekonomia shqiptare pësoi një goditje sa të befasishme aq edhe të dhimbëshme : me mbylljen zyrtare të konfliktit dhe me vendosjen në vend të një force ndërkombëtare të kontrollit, ju erdhi fundi edhe një vargu trafiqesh fitimprurëse si ai i naftës, e destinuar për ish-Jugosllavinë nën embargon ndërkombëtare, i armëve në drejtim të palëve ndërluftuese si dhe i cigareve drejt Malit të Zi. Sipas asaj shprehjes të njohur, gëzimi i njërit përmbante njëkohësisht edhe fatkeqësinë e tjetrit ; paqja në Bosnje shënoi edhe fundin e ndihmave evropiane ndaj Shqipërisë pasi ato u ridrejtuan ndaj më nevojtarëve të rajonit. Për të dalë nga kjo gjendje, shoqëritë e kreditit filluan të bënin reklamë « produkteve » të tyre, nëpërmjet lidhjeve të fuqishme që ato mbanin me qarqet drejuese të vendit, dhe u investuan në jetën politike. Kjo gjë forcoi imazhin e tyre si edhe rriti besimin pranë popullsisë : kush mund të dyshonte tashmë në legalitetin e aktivitetit të Vefës ndërkohë që patroni i saj gjendej në krah të djathtë të Berishës në tribunat e nderit, kur flamujt me siglën e firmës valaviteshin në të njejtin rang me flamujt blu të PD ? Sigurisht jo ata që përfitonin nga bujaria princore e ish magazinierit dhe aq më pak Banka e Kursimit ose Banka Tregëtare që rregjistronin hyrje të përditshme kolosale paresh të freskëta, bile pa patur kohë që të zbatonin të drejtën e vështrimit mbi librat e llogarisë së firmës ; as edhe tepër seriozja Qendra e Kërkimeve Ekonomike e cila përgëzonte principin e ndershëm « të mirëkuptimit reciprok mes huadhënësit dhe huamarrësit ». Përballë suksesit të rrufeshëm dhe entusiazmit popullor që kish ngjallur mes huadhënësve të vegjël, për më tepër të përkrahura nga një politikë financiare e çuditshme e qeverisë – në kufijtë e prohibicionit ndaj bankave dhe tejet e shkujdesur ndaj ndërmjetësve financiarë të sektorit jozyrtar – një varg i tërë « fondacionesh karitative » panë dritën e diellit. Xhaferrët dhe Populli ju bashkëngjitën legjendares Sudja – skema të vërteta « të Ponzit » që propozonin pa pikë droje interesa marramendëse të nivelit 30% në muaj. E parë nga larg, ekonomia shqiptare dukej në rrugën e mbarë të rimëkëmbjes së saj, aq më tepër që treguesit makroekonomikë – PPB, inflacioni, bilanci buxhetor bile edhe papunësia – luanin rolin e dëshmitarëve të pagabueshëm, ndërkohë që e parë nga afër, një varg shenjash tregonin që ajo po rendte drejt kolapsit, për të mos thënë drejt katastrofës. I përcaktuar si « paradoksi shqiptar », ky fenomen tejkalon lirisht kufijtë e vendit dhe prek pjesën më të madhe të ekonomive të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore. Ai çfaqet si pasojë e drejpërdrejtë e politikave ekonomike dhe e vetë politikës, të destinuara për të reformuar ekonomitë post-socialiste ; një farë « sëmundje foshnjore » e vendeve në rrugën e zhvillimit drejt një ekonomie kapitaliste të tregut, e cila sulmon sistemin më të ndjeshëm dhe më delikat – atë të financave (6). Dobësia fizike dhe mungesa e « antitrupave » të nevojshëm sigurisht nxiti çfaqjen e « piramidave financiare » ose të « skemave të Ponzit » të cilat shfrytëzojnë një farë përfytyrimi naiv të njerëzve lidhur me kapitalizmin dhe mundësive të tij të fitimit, sidoqoftë pa qenë atributi i tyre i vetëm. Epifenomeni Ponzi është karakteristik i kapitalit dhe bën pjesë në historinë e vendeve kapitaliste të zhvilluara ; megjithë se ai është studiuar në të gjitha aspektet, ai vazhdon të godasë edhe në ditët e sotme dhe të rrënojë evropianët naivë – pavarësisht faktit që ata janë ushqyer me parimet kapitaliste që nga fëmijëria e tyre më e njomë. Ajo rritja ekonomike e famshme e cila është folur dhe përfolur përgjatë vitesh, pasqyron në rradhë të parë dhe më tepër intensitetin dhe sasinë e shkëmbimeve në një treg të mbizotëruar nga importet e mallrave të konsumit se sa rritjen e prodhimit lokal, më tepër aplitudën e konsumit të familjeve ose të shoqërisë se sa volumin e eksporteve, shkurt « një rritje pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm ». E zhveshur nga indi i domosdoshëm mikroekonomik, i përbërë nga ndërmarrjet individuale, të vogla ose të mesme lokale, të afta të absorbojnë atë masë monetare të konsiderueshme që gjendet në qarkullim dhe që vjen nga burimet endogjene, me qëllim që t’a shëndrrojë në investime në shërbim të pasurisë kombëtare, ka shumë të ngjarë që ekonomia të kthehet në spekulluese. Ajo tërhiqet nga hiret e shoqërive të krijuara nga hiçi që merren me biznese të padukshme, për të mos thënë biznese mashtruese, të destinuara për të pasuruar njerëzit e padjallëzuar që zotërojnë fonde, aq më tepër që këta të fundit nuk njohin as botën e biznesit as edhe vlerën e vërtetë të parasë, të fituar pa mundime. (www.albanie-albanais.com) ----------------------------------------------------------------------------------------- 1) Disa muaj përpara, Partia Demokratike kish përjashtuar nga Këshilli i saj Kombëtar deputetin Azem Hajdari lidhur me qëndrimet e tij aspak ortodokse dhe kish përjashtuar njëkohësisht nga rradhët e saj Petrit Kalakulën, ish ministrin e Bujqësisë dhe përgjegjësin e Degës të Tiranës, për ato deklaratat e tij publike skandaloze ku ai shprehte preferencat e tij ndaj rregjimit nazist. Kalakula si përfaqsues i përsosur i të djathtës ekstreme, krijoi partinë e vet demokratike te djathtë (PDD). Në vitin 2001, duke u bashkuar me formacione të tjera disidente të PD, partia e Kalakulës u shkri në gjirin e partisë Demokratike të Reformuar (PDR), e cila në krye të vititi i dha jetë partisë së Re Demokratike. (2) Bashkësia e indekseve kryesore makroekonomike të vendit, të shqyrtuara gjatë një periudhe trevjeçare 1993 – 1995 tregojnë fare qartë një tendencë të qëndrueshme drejt një ekonomie të çekuilibruar : nga njera anë një rritje ekonomike gjithmonë pozitive (9.6, 8.3 dhe 13.3 në % ndaj PPB) si edhe një inflacion të kontrolluar, për të mos thënë të sprapsur (85.0, 22.6, 7.8 në %) dhe nga ana tjetër, një deficit fiskal kronik (- 9.3, -7.5, -7.5 në % gjithmonë përkundrejt PPB), një bilanc tregëtar thellësisht negativ (- 489.9, - 459.7, -475.0 në miliona dollarë) dhe së fundi, nje bilanc pagesash korente në dhëmbë sharre (14.7, -42.7, -14.6 po ashtu në miliona dollarë). (3) Sipas vlerësimit të ekspertëve perëndimorë që ndoqën procesin e privatizimit, gati 35% e këtyre njësive prodhuese individuale nuk përmbushnin kushtet e gjallimit ekonomik dhe aq më pak ato të rentabilitetit. Në mungesë të një ligji mbi shitblerjen e tokës, ato ishin të destinuara të pësonin një fragmentim të mëtejshëm si pasojë e trashëgimisë. Vetëm ndërhyrja e Shtetit mund të ekuilibronte gjendjen, nëpërmjet vënies në dispozicion të tyre të mjeteve të kreditit si dhe të një sistemi subvencionesh për prodhimet bujqësore. Një tjetër rrugë e mundshme ishte grupimi i prodhuesve të vegjël në kooperativa private të cilat duhej të merrnin përsipër transportin dhe shpërndarjen e prodhimit drejt qendrave të mëdha si edhe tregëtimin e tyre. Procesi i privatizimit të pasurisë kolektive linte mënjanë dhe nuk interesohej për fatin e 155.000 punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore që i përkisnin shtetit dhe që kishin pësuar plaçkitjen suistematike të të mirave materiale gjatë viteve 1991 – 1992. Pushteti demokratik i Berishës, duke druajtur fragmentimin serioz të terreneve rreth qyteteve dhe qendrave të tjera të banuara sikundër dhe një rënie të pashmangshme të furnizimit të tregut me prodhime te freskëta, ju kundërvu idesë të coptimit të përgjithësuar të ndërmarrjeve bujqësore të shtetëzuara. Ndërkohë, ai dha aprovimin e tij për shkrirjen dhe si pasojë, coptimin e rreth gjashtëdhjetë ndërmarrjeve të tilla që ndodheshin në zonat malore verilindore të vendit dhe që ishin thellësisht buxhetore ndaj thesarit të shtetit. Në këtë kuadër, pyjet dhe kullotat gjithashtu mbetën jashtë reformës ; ato vazhdonin të mbeteshin pasuri e Shtetit, nën shfrytëzimin komunal. Gjithmonë sipas mendimit të ekspertëve ekonomistë perëndimorë, një pjesë e ndërmarrjeve bujqësore mund të shpëtoheshin – pra të shëndrroheshin në ekonomi rentabël – falë një sistemi joint-venture me ndërmarrjet e huaja. Një pritje e kotë u instalua kështu deri në vitin 1995, derisa më në fund qeveria mori iniciativën për të privatizuar tokat që i takonin këtyre ndërmarrjeve mbi të njejtat kritere « të barazisë », të aplikuara në rastin e kooperativave bujqësore. Sipas një dispozite ligji, të datuar në vitin 1995, punonjësit e këtyre ndërmarrjeve shtetërore shëndrroheshin në pronarë të tokave të pronës shtetërore, duke poseduar të drejta të plota të trashëgimisë, të blerjes ose dhe të shitjes. Ishtë njëkohësisht edhe rasti për të rikqyrur dhe për të korrigjuar të drejtën e shitblerjes së tokave bujqësore, operacione të ndaluara deri atëhere nga « Ligji mbi Tokën » i vitit 1991. Mbi këtë çështje, shih: Azeta CUNGU & Johan F.M SWINNEN – Albanian’s Radical Agrarian Reform, Working Paper No. 15, Policy Research Group, Department of Agricultural Economics, Université Catholique de Leuven, 1998 ; sikundër dhe : Olivier DESLONDES, Michel SIVIGNON – L’agriculture albanaise : de la coopérative à l’exploitation de survie, Revue d’Eudes Comparatives Est – Ouest, 1995. (4) Lidhur me Ligjin mbi Tokën si dhe pasojat e tij mbi bujqësinë shqiptare të tranzicionit, shih : Artan FUGA – Identités périphériques en Albanie, la recomposition du milieu rural et les nouveaux types de rationalité politique, Ed. l’Harmatan, Paris, 2000. (5) Ky konsensus unikal në historinë e marrëdhënieve mes këtyre du partive politike, bëhet edhe më i kuptueshëm në qoftë se shqyrtojmë platformat e tyre elektorale. Qëndrimi i të porsakrijuarës PS është krejt i logjikshëm pasi ajo kërkonte t’i zgjaste jetën ndikimit të tronditur mbi bazën e saj elektorale tradicionale ndërkohë që PD nuk mund të injoronte dëshirën e shumicës fshatare të popullsisë, më se të favorshme ndaj një reforme të ketij lloji. Popullsia e fshatrave i kish dhënë besimin e saj PS gjatë zgjedhjeve të para legjislative, parrulla kryesore e të cilës ishte pikërisht kjo reformë agrare në favor të pronarëve të reformës së parë komuniste të vitit 1946. Përsa i përket Partisë Republikane dhe aleates së saj « Lidhjes së ish-Pronarëve », ata ishin të vendosur të mbronin idenë e rikthimit të tokave pronarëve të tyrë të ligjshëm parakomunistë. Kjo divergjencë në pikpamje krijoi edhe mosmarrëveshjen mes PD dhe PR gjë e cila pengoi bashkimin e forcave të të djathtës. Praktikisht, pronarëve të vjetër, titujt e pronësisë të të cilëve datoheshin përpara vitit 1945, duheshin të kënaqeshin me një kompensim financiar : i plotë për 15 hektarët e parë, i pjesshëm për intervalin nga 15 deri në 43 hektarë dhe zero për ish pronat mbi 43 hektarë. Kompensimi mund të realizohej në vlerë – bono krediti të qeverisë – ose në shkëmbim – toka bujqësore ndaj terreneve bregdetare, për shembull. Me më pak probleme ishte rasti i trashëgimisë së kullotave që mbeteshin pronë e patjetërsueshme e Shtetit ndërkohë që kërkesat e ish-pronarëve të ngastrave pyjore u azhornuan. I njejti kompromis u aplikua edhe për terrenet që gjendeshin në zonat urbane. Mbarëtrajtimi i hapësirës urbane – ndërtimi i rrugëve dhe i bulevardeve, i shesheve publike ose i objekteve sociokulturorë – kish kërkuar një varg masash shpronësimi, nevoja e të cilave nuk vihej në dyshim nga asnjeri, ndërkohë që zmadhimi i qendrave të banuara qytetëse ishte kryer nëpërmjet pushtimit të hapësirës bujqësore të dikurshme, të shpronësuar në vitin 1946. (6) Fondacioni Karitas u çfaq në Rumani në prill të vitit 1992, në gjirin e disa qindrave skemave të llojit Ponzi që vepronin në këtë vend. Në vjeshtën e vitit 1993, ai gjendej në apogjeun e fuqisë të tij : pasi kish tërhequr në rrjetat e veta mbi 4 milionë rumunë, ose 20% të popullsisë së vendit, Karitasi realizonte një volum biznesi të llogaritur në 1.4 mijë miliarda lei – pothuaj e rahasueshme me 6.6 mijë miliard të buxhetit kombëtar – ndërkohë qe ajo zotëronte një të tretën e masës monetare të vendit. Pas një vit e gjysëm jete, ky fondacion u shemb por sidoqoftë në një formë të butë, duke minimizuar ndikimin shkatërrues mbi ekonominë e vendit. Në Rusi, fondet MMM të konceptuara nga Mavrodis që në vitin 1991, tërhoqën mbi 5 milionë rusë. Duke premtuar fitime astronomike, të rendit 2.000% në vit, aksionet MMM u futën në bursë. Shembja e kësaj strukture financiare në vitin 1994, shkaktoi edhe rënien e menjëhershme të titullit : brenda javës, ai ra nga 65 dollarë në 0.5 dollarë, duke sjellë edhe shkatërrimin e atyre që e kishin blerë. Shoqëri të ngjashme vepronin në Bullgari ose në Sllovaki si dhe në Serbi ose në Maqedoni ; ato u shembën gjatë periudhës 1994 dhe 1996 duke shkaktuar shqetësime dhe çrregullime të ndjeshme të ekonomive financiare.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment