Në 7 prill të vitit 1939 Italia nisi pushtimin e Shqipërisë ndërsa ushtria shqiptare përjetonte sabotimin nga eksponentë të saj të blerë nga italianët. Gjithsesi, para zbarkimit armik, forcat e mbetura shqiptare nën urdhrat e majorit Abaz Kupi, kishin zënë pozicione rreth portit të Durrësit dhe numëronin në radhët e tyre ushtarë, policë dhe vullnetarë civilë.
Pasi pushtuesit shkelën në port forcat shqiptare hapën zjarr me mitralozë duke shkaktuar panik tek italianët, që nuk prisnin rezistencë, dhe u detyruan të kthehen në anije në largësi sigurie nga skela. Nga kodrat e Durrësit forcat tona goditën me topa me rreze të gjatë mbi varkat në kthim duke arritur të dëmtojnë rëndë dhe njërën nga anijet italiane.
Përpjekja italiane për zbarkim u përsërit katër herë dhe u zmbraps megjithëse pala jonë luftonte me armatim dhe fuqi të mangët. Me kalimin e kohës anijet armike arritën të neutralizojnë grykat e zjarrit me artileri të rëndë dhe mbrojtja e portit u ça. Lufta u zhvendos nga porti në rrugët e qytetit, duke u kthyer në përleshje urbane me mbrojtësit që zinin pozicione në rrugë, rrugica e shtëpitë e Durrësit.
Luftime u shënuan dhe në Lezhë e Shëngjin në pabarazi të thellë numerike dhe armatimi.
Qyteti i Vlorës i lënë pa armë nga sabotimi, i pa shqiptarët të armatosen në çastet e fundit dhe të zënë pozicione në kodrat e Bestrovës bri detit. Italianët, duke mos hasur në asnjë qëndresë në qytet, vazhduan ecjen në drejtim të kodrave, ku me të hyrë në rreze zjarri u përshëndetën nga mitralozët. Në largësi sigurie nga luftanijet nisi goditja me artileri me rreze të gjatë i kodrave deri në neutralizim të grykave të zjarrit.
E njëjta strategji emergjence u ndoq dhe në Sarandë ku burrat kishin zënë pozicion me pushkë dhe vetëm një mitraloz pas kodre duke i lënë italianët të zbarkonin të qetë. Kur armiku hyri në rreze zjarri u godit deri në mbarimin e fishekëve.
Italia e organizoi pushtimin duke planifikuar mungesë rezistence për të cilën kishte punuar hollësisht që më parë. Në mëngjes herët, madje sipas planit, agjencia italiane Stefani, kishte dhënë botërisht lajmin se "trupat italiane kishin zbarkuar dhe ishin pritur pa asnjë incident, për më tepër në miqësi e me brohorima nga populli shqiptar".
Përgënjeshtrimi erdhi më vonë nga Radio Tirana që njoftonte botën se luftime të ashpra po zhvilloheshin mes trupave shqiptare dhe ushtrisë pushtuese italiane që nga mëngjesi i 7 prillit 1939.
Thirrja e mbretit Ahmet Zogu, në Radio Tirana, për qëndresë kundër pushtuesit u pasua nga mesazhi-protestë i Mehdi Frashërit për pushtimin italian.
Këto thirrje, në mos tjetër, shënuan zyrtarisht faktin se shteti shqiptar nuk kishte pranuar futjen e ushtrisë italiane në trojet shqiptare dhe se vendi sipas ligjeve ndërkombëtare ndodhej nën pushtim.
No comments:
Post a Comment